Aktualisht, komuna e Ferizajt ka tre inspektorë sanitarë, ndërkaq, komuna e Vushtrrisë ka një inspektor sanitar, të cilët janë duke u kujdesur për zbatimin e masave të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë së coronavirusit në këto komuna.
Ferizaj dhe Vushtrria, bashkë me Prishtinën dhe Prizrenin, janë katër komuna të Kosovës, të cilat vlerësohen si më të prekurat nga coronavirusi, për të cilat Qeveria e Kosovës, të dielën ka marrë vendim që të zbatojë masën e kufizimit të tërësishëm të lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Po ashtu, gjatë kësaj kohe, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, në të gjitha komunat do të mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë. Jashtë kësaj periudhe, lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe take away (merre me vete).
Për zbatim të masave kufizuese, më shumë inspektorë sanitarë
Qeveria e Kosovës, të hënën, ka mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, për të biseduar lidhur me masat e reja dhe zbatimin e tyre. Në nivelin qendror parashihet që të shtohen 50 inspektorë sanitarë.
Ndërkaq, komunave u është sugjeruar që të angazhojnë numër shtesë të inspektorëve, gjatë përballjes me pandeminë e coronavirusit.
Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ekzekutivi ka kërkuar bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë në mes të Qendrës së Situatave dhe shtabeve komunale të menaxhimit të pandemisë së coronavirusit, të cilat siç tha ai, duhet të riaktivizohen me kapacitete të plota.
Siç ka theksuar ai, qeveria i ka lejuar komunat përkatëse që, në bazë të specifikave që kanë, të shtojnë numrin e inspektorëve sanitarë.
“Komunat kanë përgjegjësi ose janë të autorizuara nga qeveria që të angazhojnë inspektorë shtesë, qoftë përmes kontratave mbi vepër apo formave të tjera, varësisht nga nevojat e tyre, përderisa të zgjatë kjo kohë e pandemisë apo përderisa të konstatohet nga ekspertët që pandemia ka kaluar”, theksoi Beqiri.
Agim Aliu, kryetar i komunës së Ferizajt, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë konsideron që numri prej 50 inspektorëve që parashihet të shtohet në nivelin qendror është i paktë, në krahasim me nevojat që imponon situata gjatë pandemisë.
Ndërkaq, në komunën që ai drejton, sipas tij, numri i inspektorëve, së paku, duhet të dyfishohet, bazuar edhe në ligj dhe jo përmes vendimeve, të cilat ai i vlerësoi si “improvizuese”.
“Unë po besoj që së paku, inspektorë sanitarë duhet t’i kemi 7 ose 8. Ndërkaq ne i kemi vetëm tre. Në bazë të ligjit, në çdo 10 mijë banorë duhet të jetë një inspektor i tillë. Kjo i bie që në Ferizaj, për të mbuluar tërësisht dhe si duhet situatën, do të duhet të ishin minimum 10 inspektorë të tillë. Kjo është për rrethana normale. Por, përderisa nuk i kemi 10 të tillë as në rrethana normale, unë po besoj që në kushte të pandemisë do të duhej të ishin më shumë. Por, sikur t’i kishim të paktën 10, situata do të menaxhohej më mirë”, tha Aliu.
Xhafer Tahiri, kryetar i komunës së Vushtrrisë, thotë se deri më tash, për të menaxhuar me situatën, i është dashur të angazhojë staf nga drejtoritë tjera të komunës në inspektorat, për shkak se me një inspektor ka qenë i pamundur zbatimi i masave të cilat i kishte miratuar qeveria e kaluar.
Aktualisht sipas tij, ka marrë pëlqimin nga Qeveria e Kosovës për rritjen e numrit të inspektorëve, me kontrata mbi vepër, për të vënë në funksion zbatimin e masave të cilat së fundmi janë marrë nga qeveria e kryeministrit Hoti.
“Në bazë të ligjit, padyshim që është e parashikuar që të jetë një inspektor sanitar në 10 mijë banorë. Në bazë të ligjit do të duhej t’i kishim 7 të tillë. Por, marrë parasysh krejt kufizimet buxhetore që i kemi në këtë kohë pandemie, natyrisht që me sforcime do të jetë e mundur që të kemi një kontroll. Sigurisht që me 4 inspektorë do të ketë shuam më tepër kontroll se sa me vetëm një inspektor sanitar”, tha Tahiri.
Kërkesë për shtimin e pranisë policore
Për zbatimin e masave kufizuese, të dy kryetarët e komunave, të Ferizajt dhe të Vushtrrisë, theksuan se do të jetë e domosdoshme mbështetja e shtuar e Policisë së Kosovës.
Megjithatë, sipas tyre, numri aktual i policëve në stacionet e policisë në këto komuna, është i pamjaftueshëm.
Sipas kryetarit të komunës së Ferizajt, Aliut, shtimi i resurseve njerëzore në Policinë e Kosovës, për një kohë të shkurtë paraqet problem. Sipas tij, mbështetja e shtuar policore eventuale duhet shqyrtuar duke u bazuar në praktikat e deritashme.
“Fjala bie, sikur kur kishim rastin e Prizrenit si vatër e infeksionit, një numër i madh i policëve të Ferizajt, të Gjakovës, por edhe të një komune tjetër është dashur të vihen në dispozicion të Prizrenit. Tash nuk mund të shtohen resurset, sepse ky është një proces rekrutimi. Megjithatë, ekziston problemi i mungesës së resurseve policore për të vënë nën kontroll dhe për të menaxhuar të gjitha situatat që paraqiten si detyra dhe obligime të policisë”, u shpreh Aliu.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Tahiri, thotë që më 1 qershor, kur ishin liruar masat kufizuese paraprake, policët shtesë që ishin në këtë komunë, janë tërhequr në komunat e tyre përkatëse, gjë që ka shkaktuar vështirësi në menaxhimin e situatës. Ai thotë se ka kërkuar nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Kosovës që të rrisin numrin e policëve në stacionin policor në Vushtrri.
“Pa u rritur prap numri i policisë, siç ka qenë në fillim të pandemisë – sepse, atëherë të gjitha stacionet e policisë janë mbështetur me staf shtesë të policisë dhe zyrtarëve policorë, të cilët janë larguar në muajin qershor – dhe t’i kemi këta zyrtarë në terren deri në fund të pandemisë, në mënyrë që të mbikëqyren rastet që janë në vetizolim, si dhe po ashtu të na ndihmojnë parandalimin e veprave tjera të kundërligjshme, kjo periudha e mbylljes do të jetë sfiduese”, theksoi Tahiri.
Por, Beqiri thotë që Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë në vazhdimësi situatën në të gjithë vendin, përfshirë edhe komunat që janë nën masa të shtuara të kufizimit dhe do t’u përgjigjet kërkesave të tyre në përputhje me nevojat e domosdoshme.
“Ne besojmë që mund të mjaftojnë policët që shërbejnë nëpër komuna të caktuara. por, ne do ta përcjellim me kujdes situatën dhe nëse shtrohet si nevojë që të ndihmohen komunat, sigurisht që do të ketë koordinim nëpërmes ministrisë përkatëse, pra, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe komunave”, theksoi Beqiri.
Qeveria e Kosovës, po ashtu në kuadër të masave për menaxhimin dhe paranalimin e pandemisë së koronavirusit, ka vendosur që në institucione të reduktohet numri i punëtorëve vetëm në stafin e domosdoshëm. Ndërkaq, në institucionet shëndetësore të reduktohen të gjitha shërbimet që janë joesenciale. Në transportin publik, numri i udhëtarëve do të përgjysmohet.
Për moszbatimin e masave të përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme, në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, personat fizikë dhe juridikë mund të ndëshkohen prej 1,000 deri në 8,000 euro./rel/Telegrafi/