Mund të jetë njëri nga qindra të rritur që po shkojnë në shkollë. Mund të duket e çuditshme, por të moshuarit e pashkolluar kanë nisur t’i kthehen mësimit. Vetëm në shkollën “Anton Semjonoviç- Makarenko” në Shkup, janë regjistruar mbi 300 të moshuar.
Sipas pedagogut të shkollës, ata ndjekin mësim të përshpejtuar, dhe më pas pajisen me diplomë të shkollës fillore!
“Në bazë rregullores së punës, ne e kemi me ligj, se një vit shkollor kandidati i cili ndjek mësim mbaron dy klasa në ato normale. Faktikisht brenda një viti shkollor, kandidati i merr dy klasë te ne”, tha pedagogu Armend Selmani.
Në shkollë, orari për të rriturit dallon nga ai i fëmijëve. Ligjëratat ndiqen në maqedonisht dhe shqip. Nxënësit e rritur, sipas pedagogut Selmani, thonë se kanë braktisur shumë herët shkollimin, shkaku i fukarallëkut.
“Arsyet e ndryshme ka se pse kanë mbetur pa arsim fillor. Ndër shkaqet kryesore janë kushtet financiare ekonomike si dhe migrimi në vendet e jashtme”, tha ajo.
Ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu thotë se në Maqedoni ka 14 shkolla fillore për të rritur, në të cilat për çdo vit regjistrohen afro 300 persona, njofton TV21.
“Duke pasur parasysh gjendjen e më përparshme që nuk kanë mundur të kryejnë shkollën fillore, tani gjendja është përmirësuar dukshëm. Gjithsej janë 14 SHF kryesisht të fokusuara në Shkup por edhe nëpër qytete tjera”, u shpreh Lutfiu.
Lutfiu thotë që koncepti për këto shkolla është ideuar sipas përvojës ndërkombëtare të bartur përmes Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara-UNDP. Projekti për mësim të përshpejtuar për të rriturir, përfshin disa koncepte, ndër të cilat dhe mësimi i gjuhëve të huaja, aftësi sociale dhe digjitale.
E gjithë kjo pritet që t’iu mundësojë nxënësve të “rritur” që të fitojnë njohuri dhe vetëbesim për t’u përfshirë në tregun e punës. Në Maqedoni janë 63,500 analfabet, sipas Entit Shtetëror për Statistikë. Por këto të dhëna nuk janë azhurnuar që nga viti 2002. /Telegrafi/