Telegrafi

Të mos rrëshqasim si Bosnja

Analisti Azem Vllasi, tha për Telegrafin se nëse Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ka karakter të bashkëpunimit të komunave në mes veti, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe ka të njëjtin funksion sikur Asociacioni i Komunave të Kosovës, atëherë nuk paraqet ndonjë problem.

“Çfarëdo organizimi i këtij asociacioni me kompetenca vendimmarrëse jashtë sistemit juridik të Kosovës, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit”, tha ai.

Sipas Vllasit, Parlamenti i Kosovës duhet të informohet në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës për formimin e çfarëdo lloj asociacioni ose bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Ai vlerësoi se deklaratat e Qeverisë së Kosovës se nuk do të bisedohet për veriun dhe për çështjet politike nuk përputhen me realitetin, pasi sipas tij, realiteti është tjetër nga ajo që është thënë.

“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos rrëshqitet në skema të cilat mund ta kthejnë Kosovën në imitacion të Bosnjës dhe Hercegovinës”, shprehet Vllasi.

Edhe analisti Ismet Kryeziu tha për Telegrafin se nëse Asociacioni i Komunave më shumicë serbe ka funksion të njëjtë sikur Asociacioni i Komunave të Kosovës, atëherë ky lloj mekanizmi nuk është asgjë më shumë se sa një organizatë joqeveritare.

Ai theksoi se ky asociacion nuk do të jetë në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën dhe me Pakon e Ahtisaarit.

“Në asnjë mënyrë një asociacion (shoqatë joqeveritare), pa kompetenca ekzekutive dhe legjislative nuk mund të rrezikojë as nuk mundë të jetë mekanizëm që përmes tij të shërbehet dhe të krijohet autonomi e veçantë”, tha ai.

Sipas tij, Serbia deri tani ka pas autoritetin mbi strukturat paralele në veri, të cilat kanë vepruar në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.

“Prandaj formimi i komunave nën legjislacionin dhe Kushtetutën e Kosovës është mënjanim i ndikimit të Beogradit në rendin kushtetues të Kosovës”, deklaroi Kryeziu. /Telegrafi/