Site icon Telegrafi

Të mos bësh asgjë mund t’ju bëjë të ndiheni më kreativë dhe më energjikë

E dini që një pushim i plotë, mund të përmirësojë shëndetin mendor dhe fizik, duke relaksuar trupin dhe rigjeneruar mendjen?

Shkenca na thotë se ky lloj pasiviteti mund të jetë pikërisht ajo që na duhet për të përmirësuar mirëqenien tonë. Pra, përgatituni ta lini veten të lirë në komoditetin e divanit të shtëpisë, sepse do të zbuloni se të mos bësh asgjë (herë pas here) mund të jetë çelësi i mirëqenies optimale.

Arsyeja shkencore pse pushimi është kaq i rëndësishëm

Ritmi frenetik i jetës moderne na ka mësuar të jemi gjithmonë në lëvizje, aktivë dhe të angazhuar në bërjen e diçkaje. Megjithatë, ky presion i vazhdueshëm mund të ketë pasoja negative në shëndetin tonë mendor dhe fizik.

Një nga elementet kryesore që qëndron pas këtij fenomeni është hormoni i stresit, kortizoli. Ky përbërës, i prodhuar nga gjëndrat mbiveshkore, na vendos në një gjendje gatishmërie, e cila mund të jetë e dobishme në situata urgjente. Por, kur kortizoli prodhohet me tepricë për shkak të stresit kronik, ai mund të ketë efekte të dëmshme në trupin dhe mendjen tonë.

Më konkretisht, një nga mënyrat se si trupi ynë reagon ndaj prodhimit të vazhdueshëm të kortizolit është përmes shtypjes së sistemit imunitar. Kur jemi vazhdimisht nën presion, sistemi ynë imunitar dobësohet, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve virale dhe atyre bakteriale.

Por, cila është zgjidhja?

Shumë njerëz priren të nënvlerësojnë rëndësinë e pushimit në jetën e përditshme. Vetë koncepti për të mos bërë asgjë mund të duket aspak normal në një botë që vlerëson aktivitetin dhe produktivitetin. Sipas kërkimeve të ndryshme shkencore, pushimi është thelbësor për rigjenerimin e trupit dhe mendjes.

Kur ulemi në divan dhe i japim vetes kohë për t’u çlodhur, trupi ynë hyn në një gjendje relaksi të plotë. Gjatë kësaj periudhe pasiviteti, sistemi nervor parasimpatik, përgjegjës për “riparimin” e trupit dhe uljen e stresit, bëhet më aktiv. Kjo do të thotë se ritmi i zemrës ngadalësohet, presioni i gjakut bie dhe muskujt tanë qetësohen, duke krijuar një mjedis ideal për rigjenerim.

Për më tepër, pushimi lejon trurin tonë të “riprogramojë” veten, duke ulur nivelet e kortizolit dhe duke rritur prodhimin e neurotransmetuesve të lidhur me mirëqenien, si serotonina dhe oksitocina, citon Anabel.

Praktika të tjera, të tilla si frymëmarrja e thellë, joga, meditimi apo edhe një shëtitje e shkurtër jashtë, mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të kortizolit në trup, duke ndikuar kësisoj në mirëqenien e përgjithshme. /Telegrafi/

Exit mobile version