SHBA-ja dhe Rusia posedojnë afërsisht 90 për qind të armëve bërthamore në botë, mjaftueshëm për të shkatërruar planetin shumë herë.
Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka një inventar total të kokave bërthamore prej 5,977, derisa SHBA-ja posedon 5,428 sosh, transmeton Telegrafi.
Sidoqoftë, këto shifra janë të diskutueshme, duke qenë se ekspertët thonë se numri i saktë i kokave dhe armëve nuk dihet saktësisht për shkak të fshehtësisë që rrethon strategjitë dhe shqetësimet e sigurisë.
Kështu, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë thotë se arsenali rus përfshin 4,447 koka bërthamore, nga të cilat 1,588 janë të vendosura në raketa balistike dhe në baza të rënda bombarduese.
Këtë vit, kjo organizatë jofitimprurëse me bazë në Çikago ka vendosur në alarm paralajmërimet për rreziqet katastrofale që mund të ndodhin në botë, duke pozicionuar akrepat e “Orës së Kijametit” në 90 sekondat e fundit para mesnatës.
Kjo do të thotë se bota, nuk ka qenë që moti më afër katastrofave globale, duke i atribuuar rasteve sikurse të konfliktit të Ukrainës dhe Rusisë, kërcënimit të kësaj të fundit me armë bërthamore si dhe luftën midis Izraelit dhe Gazës.
Vetëm javën e fundit, paralajmërime ka pasur nga ana e NATO-s si dhe nga vetë vendi anëtar siç është Gjermania, se aleanca mund të përfshihet brenda disa viteve në një luftë me Rusinë, duke ngritur shqetësimet për siguri.
Presidenti rus Vladimir Putin vazhdimisht ka aluduar se do të përdorë armë bërthamore “nëse rrezikohet integriteti territorial i Rusisë”.
Duke mos mjaftuar konflikti që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës dy vende të pozicionuara gjeografikisht në Evropë, një krizë është “ringjallur” edhe në disa vende të Lindjes së Mesme.
Më 7 tetor, nisi konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, grupi militant palestinez në Rripin e Gazës që sulmoi Tel Avivin dhe komunitetet jugore në Izrael. Kështu, ky i fundit nisi bombardimin e rajonit palestinez, ku mbetën të vrarë mbi 25 mijë palestinezë.
Duke mos mjaftuar kjo, krisje pati edhe mes forcave amerikane dhe britanike dhe forcave të grupit Houthi në Jemen, të cilët sulmuan anijet komerciale amerikane në Detin Kuq. Kjo ka bërë që SHBA-ja dhe Britania e Madhe të bombardojnë objektivat e këtij grupi në Jemen.
Megjithatë, këto dyja nuk janë përplasjet e fundit në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/