Nesër pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë e cila do të jetë vendimtare nëse greva do të riaktivizohet ose jo.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se qëndrimet e palëve ishin të afërta, por pa një vendim konkret.
Shaqiri nuk e përjashton mundësinë që viti shkollor të përfundojë më 10 qershor, por sipas tij materiali i mbetur do të plotësohet në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.
Kryetari i Ohrit, Kiril Peçakov tha se të gjithë punëtorët në këtë komunë që kanë dalë në grevë do të marrin paga të plota pavarësisht vendimit të ministrive kompetente.
SASHK-u javën e kaluar ka pasur një takim me ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, nga i cili kanë bërë të ditur se punëtorët e çerdheve që kanë dalë në grevë nuk do të marrin pagat e plota për muajin prill.
Nga SASHK thanë se kërkohet zgjidhje ligjore për rimbursimin e pagave të papaguara në muajt në vijim.