Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në dy seanca plenare gjatë kësaj jave.
Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka vendosur që të mërkurën të mbahet seanca ku pritet të hidhet në votim për lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, përcjell Telegrafi.
Të premten e kaluar kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim ky Projektligj.
Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
“Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor 2020”, kishte thënë nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.
Projektligji parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/