Telegrafi

Të mërkurën mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë së Drejtësisë

Partia e Drejtësisë ka bërë të ditur se Këshilli Drejtues i kësaj partie, nga mbledhja e 3 shtatorit 2016, bazuar në statutin e saj doli me vendimin për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm zgjedhor.

Sipas PD-së, ky qëndrim u rikonfirmua edhe në mbledhjen e 21 shtatorit 2016, ku pjesëmarrës ishin 17 degë, nga 24 sa janë gjithsej, të cilat po kërkojnë ndryshime në udhëheqjen e partisë, ku të pranishëm ishin edhe nënkryetarët Jeton Svirca dhe deputetja Labinotë Demi-Murtezi si dhe Sekretari i Përgjithshëm Fidan Mustafa, e në të cilin u vendos që të bëhen përgatitjet e duhura për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Partisë.

“Në këtë takim në mënyrë unanime u bë thirrje që të respektohet vendimi i K. Drejtues për Kuvendin e Jashtëzakonshëm zgjedhor si dhe u mor vendim që ky Kuvend të mbahet me 28 shtator 2016.
Të gjitha degët u dakorduan që të angazhohen në mënyrë që ky proces të jetë në plotëni konform statutit të partisë dhe vendimeve që Këshilli Drejtues i ka marrë më datë 3 shtator 2016”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/