Ekipet e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veritu nuk kanë kohë për pushim, pasi java e shtatë luhet të mërkurën, ku në tri përballje do të kemi duele direkte mes ekipeve shqiptare, njofton Telegrafi.
Të mërkurën (25.09.2024) luhen gjashtë ndeshjet e javës së 7-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Derbi i javës do të luhet në Shkup, ku do të takohen dy ekipe që ende nuk e kanë shijuar disfatën, Gostivari dhe Shkëndija. Dy ekipet shqiptare janë në formë të shkëlqyer, me Shkëndijën që kryeson renditjen me dy pikë më shumë se Gostivari, pasi ka një fitore më shumë. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, pasi Gostivari këtë sezon nuk po i luan ndeshjet në fushë të saj për shkak mosmarrëveshjeve me Komunën e Gostivarit. Në këtë ndeshje arbitër kryesor do të jetë Jovan Kaçevski nga Struga. Dy ekipet në këtë ndeshje futen pas fitoreve që morën në duelet e fundit, ku Shkëndija si nikoqire fitoi me rezultat të thellë Voska Sportin, ndërsa Gostivari fitoi në cilësinë e mysafirit në Kratovë ndaj Sileksit me rezultat 2-1.
Edhe dy duele tjera sjellin përballje direkte të ekipeve shqiptare. Në stadiumin e Çairit ekipi Shkupit është nikoqir i Besës së Dobërdollit, me Shkupin që vjen në këtë përballje pas fitores së madhe në derbin ndaj Strugës, ndërsa Besa është ende pa trajner dhe nuk po arrin të merr rezultate pozitive, pasi javën që lamë pas u mund në shtëpi 2-3 nga Pelisteri.
Struga do të kërkojë të këndellet pas disfatës nga Shkupi, këtë do ta provojë ta bëjë në ndeshjen ndaj Voska Sport, e cila ekip është futur në krizë të rezultateve dhe për momentin është e fundit në renditje.
Në duelet tjera që luhen me fillim në ora 15:00 takohen, Brera – Tikveshi, Pelister – Rabotniçki dhe ndeshje e vetme që luhet në orar të mbrëmjes, nga ora 20:00, është ajo mes Vardarit dhe Sileksit në Shkup.
Java e 7-t: Shkupi – Besa, Gostivari – Shkëndija, Voska – Struga, Brera – Tikveshi, Pelisteri – Rabotniçki nga ora 15:00 dhe Vardari – Sileksi nga ora 20:00. /Telegrafi/