Të mërkurën Gjykata duhet ta njoftojë aktgjykimin për pesë të akuzuarit në rastin “Celula“, të cilët ngarkohen për bashkëpunim me organizatën ekstremiste Shteti Islamik (IS), pasi që në gjykimin e sotëm edhe ata si edhe gjashtë të akuzuarit tjerë e pranuan fajin, bën të ditur Makfaks, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Edhe pse në vlerësimin e aktakuzës ata thanë se nuk ndjehen fajtorë për veprat me të cilët ngarkohen, Isa Fuga, Abdulla Abdullahi, Muhamed Imeri, Erol Rustemi dhe Stefan Stefanovski, ndryshuan mendje dhe e pranuan fajin.
Gjatë deklarimit të gjithë thanë se këtë e bëjnë në mënyrë vullnetare dhe janë të vetëdijshëm për pasojat. Prokurori Vladimir Milloshevski, kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë në pajtim me dispozitat ligjore. Avokatët nga ana tjetër kërkuan që gjykatësi ti merr parasysh rrethanat lehtësuese dhe tu shqiptojë dënime më të buta.
Gjatë vlerësimit të aktakuzës, fajin e pranuan edhe Hoxha Rexhep Memishi, Ahmet Dardhishta, Sejfulla Etemovski, Resul Saiti, Fazli Sula dhe Muhamed Shehu. Ata u dënuan me burgim minimal prej pesë deri në shtatë vite.
Sipas aktakuzës, njëri grup ka përgatitur persona për të marrë pjesë në ushtri të huaj, grupi tjetër ka siguruar mjete financiare dhe përkrahje tjetër në aspektin material, që personat të jenë të përgatitur për udhëtim para dhe gjatë pjesëmarrjes tyre në ushtri të huaj, ndërsa grupi i tretë ka marrë pjesë në luftimet në anën e Shtetit Islamik në Siri./Telegrafi/