Telegrafi

Të mbledhur në Stamboll, Putin dhe Erdogan thanë se vdekja e Soleimanit “minoi sigurinë” në rajon

Udhëheqësit lëshuan një deklaratë duke kërkuar zvogëlimin e tensionit në Irak dhe duke bërë thirrje për një armëpushim në luftën civile në Libi, ku ata mbështesin palët kundërshtare.

Presidentët e Rusisë dhe Turqisë, Vladimir Putin përkatësisht Rexhep Tajip Erdogan, kanë thënë se vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në një operacion amerikan në Irak, “minon sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, transmeton Telegrafi.

Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi në Stamboll, të dy liderët janë “thellësisht të shqetësuar për rritjen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”.

“Askush nuk ka të drejtë të djegë rajonin. Ne nuk do të lejojmë, si një vend që flet për të gjitha palët, që rajoni ynë të mbulolhet në gjak dhe lot. Ne do të punojmë me Rusinë për këtë”, tha Erdogan, duke iu referuar Iranit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha që Putin dhe Erdogan kanë trajtuar “veprimet e paligjshme dhe shumë të rrezikshme të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara në territorin e Irakut kundër shtetasve iranianë”.

Kështu, ai shtoi se të dy “janë shprehur në mënyrë të vendosur në favor të zgjidhjes së “situatës” vetëm me metoda paqësore dhe në përputhje me rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare”, është shprehur Lavrov.

“Shkëmbimi i sulmeve dhe përdorimi i forcës nga ndonjë palë nuk kontribuon në gjetjen e zgjidhjeve”, thotë dokumenti, i cili paralajmëron se kjo rrugë “do të çonte në një cikël të ri paqëndrueshmërie dhe përfundimisht do të dëmtonte interesat e të gjithëve”.

Deklarata e përbashkët shpreh gjithashtu “angazhimin” e të dy vendeve për të ulur tensionet në rajon dhe kërkon të rifillojnë negociatat në Siri, ku të dy vendet kanë vendosur trupa në anët e kundërta. /Telegrafi/