Në shënimin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, organizoi ekspozimin e punimeve të dorës dhe produkteve tjera në hollin e Kuvendit nga 4 organizata QKRMT, QPDG, Medica Kosova dhe Medica Gjakova.
Këto punime dhe produkte, unike si për nga modelet, ashtu edhe për nga rëndësia, janë të punuara pikërisht nga gratë të mbijetuara të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
Feride Rushiti nga QKRMT tha se secili punim bartë me vete një rrëfim dhe një pjesë të historisë më të dhimbshme, por njëkohësisht reflekton edhe forcë për një jetë të dinjitetshme.
“Ekspozita e cila po shënon sot është thjesht promovim i punës së grave është nga katër organizata, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, nga Qendra për Provimin e të Drejtave të Grave me seli në Drenas, pastaj nga Medica Kosova dhe Gjakova e cila ka për qëllim t’ju tregojë që këto gra përtej të paimagjinueshmes që kanë përjetuar gjatë periudhës së luftës, por edhe pas luftës fatkeqësisht, kanë gjetur forcën të mposhtin dhimbjen dhe duke i shtyrë lotët, rënkimet e dhimbjet kanë arritur që me artin e tyre të prodhojnë punë të veçantë, unike për nga modeli pasi secili punim në vetvete bart histori të dhimbjes së luftës”, deklaroi ajo.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, Nicholas Abott. Ai premtoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Abott tha se çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale është shumë e rëndësishme dhe pjesë e hist orisë së Kosovës. Sipas tij, të mbijetuarit kanë nevojë për përkrahje më të madhe nga shoqëria.
Kanë nevoje për përkrahje nga familja dhe shoqëria. Shoqëria kosovare ka filluar të tregojnë pjekuri në përkrahjen e nevojave tuaja. Ju inkurajoj sot të blini produktet e punuara të cilat do të ndihmojnë për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe në luftimin e stigmës”, deklaroi Abott. /KP/