Site icon Telegrafi

Të matesh me hijen tënde

22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Do të thoni e çfarë ka të bëjë ky rrëfim me kampionatin evropian të futbollit që po mbahet në Francë?! Asgjë! Po ja fus kot edhe unë sikur kryeministri Rama, i cili sa herë që e pyesin për (mos)sukseset në politik,ë e kalon llafin te futbolli dhe Parisi. E kujt i plas pra?!

Por, mbase krejt kjo ka të bëjë edhe me futbollin. A nuk filloi ky kampionat me shqiptarët? Dy vëllezër luajnë në dy kombëtare të ndryshme. Një nënë shqiptare, djemtë e së cilës luajnë për dy shtete të ndryshme, ka krijuar ideologjinë e saj dhe simbolin. Ajo ka kombinuar në gjoksin e sajë flamujt e dy vendeve Shqipërisë dhe Zvicrës. Pastaj, një gazetar gjerman do ta quajë djalin e tij Shkodran, sepse golin e parë për kombëtaren gjermane e dha një shqiptar tjetër. Ai kishte premtuar se do të quante djalin e tij që pritet të lindë këto ditë, me emrin e futbollistit që do të jepte golin e parë për kombëtaren gjermane.

Pra, ka lidhje tema jonë me futbollin? Pastaj, mos të përmendim dilemat (jo)patriotike brenda shqiptare për kë të luajnë heronjtë tonë të rinj…

Por, të kthehemi te titulli. Do t’ju flas për një njeri të jashtëzakonshëm, hero i të djeshmes, sotmes, e mbase edhe të nesërmes. Ai nuk ka pikëtakimi me futbollin, por ka me flamurin! Ka me Shqipërinë!

Ai ishte rritur dhe edukuar nga nëna Nazife, një grua analfabete, por me një qartësi mendimi të habitshme. Ajo i kishte thënë qysh si fëmijë, dhe në një mënyrë të cilën ai nuk e harroi kurrë: “Ti e ke edhe një nënë”, i kishte thënë djaloshit që po e shihte i hutuar. “Unë do të vdes një ditë, por ajo nëna tjetër nuk vdes kurrë. E ajo është nëna Shqipni. Ti mbahu me të, e mos u brengos për mua”.

Ademi tërë jetën veproi ashtu. Nëna Nazife vdiq derisa ai ishte në burg.

Personazhi ynë i sotëm nuk ishte as si fëmijë i zakonshëm, madje as si i ri. E kishte bërë shprehi t’i bënte mësueset të qajnë, sepse u bënte pyetje të thjeshta. Njëherë, në klasë të parë e pat pyetur mësuesen se çfarë kërkonin “shpatat” mbi flamurin shqiptar. Ishte koha e “Shqipnisë së madhe” të Musolinit. Ajo ia kishte plasur vajit. Njëherë tjetër, pas “çlirimit” nga fashizmi, ai e kishte pyetur mësuesen e tij serbe, përse fëmijët serbë nuk mësonin shqip, sikurse që fëmijët shqiptarë mësonin serbisht. Edhe ajo kishte shpërthyer në një të qarë histerike.

Ademi e kishte këtë “dhunti” prej misionari. Të gjitha femrat në jetën e tij, kanë derdhur lot në heshtje, ose e kanë pritur me durim, me duar të kryqëzuara në gjoks.

Vitet e ’90 të shekullit të kaluar, Ademi rebelohet sërish, kësaj radhe ndaj popullit të vet i cili, sipas tij, kishte marrë formën e kopesë së deleve e cila në rresht, dhe me vetëdisiplinë, po shkonte të mbytej në pus. Popullin nuk po e ndërgjegjësonin fare për kasaphanën që po ia përgatisnin, ndërkohë që po e bënin të luante lojën e shtetit. Kjo mbase edhe do të shihej vetëm kur populli u përball me eksodin e vitit 1999.

Në vitin 1999, kur NATO po e bombardonte Serbinë, Adem Demaçi ndodhej në Prishtinë. Ai nuk u largua asnjëherë, edhe pse gati dy të tretat e popullsisë u përzunë me dhunë nga vendi.

Ademi u lind në një qytet i cili ishte populluar me refugjatë nga rrethi i Nishit dhe qytete e fshatra të tjerë në Serbi të cilat sot flasin vetëm serbisht. Ai po qëndronte në Prishtinë që të jepte mesazhin e fuqishëm se asnjëherë më nuk do të jemi refugjatë e të marrim botën në sy.

Pas lufte, me kritikat e tij të drejtpërdrejta, të sinqerta, ndaj miqve ndërkombëtarë, shpeshherë na hutoi, madje edhe e kritikuam. Por, zakonisht koha i dha të drejtë dhe kjo për arsyen e vetme se mendimi i tij ishte dhe mbeti plotësisht i pakorruptuar, asnjëherë konformist dhe servil.

Kështu, me vitet, Adem Demaçi për shqiptarët gjithandej u bë Baca Adem, krejt natyrshëm dhe pa hetuar fare. Kështu, Baca Adem u bë edhe Mendela i shqiptarëve, i Evropës madje, ndërkohë që shumëkush, jo vetëm nga shqiptarët, pyetet se përse Mendela nuk u quajt Demaçi i Afrikës, por ndodhi e kundërta? Duket se nuk ishte vetëm burgu i gjatë kriter, as qëndresa stoike. Ishte edhe kauza.

Fundshekulli XX dhe fillimi i shekullit XXI e kishte më të rëndësishme luftën për barazi raciale sesa atë ndërnacionale, dhe mesazhi i saj ishte global dhe prekte shumë vende të mëdha të botës. Në periudhën e globalizmit, marrëdhëniet mes racave dhe kulturave janë themelore për paqen dhe rendin e ri global, ndërkohë që nacionalizmi dhe luftërat çlirimtare të popujve në përmasa globale konsiderohen si ideologji e vjetruar dhe se problemet e tilla, “çlirimtare”, tashmë zgjidhen në kuadër të projekteve globale. “Popujt heroikë” trajtohen si viktima, që mbetën të fundit në radhën e popujve që (vetë)çlirohen. Pra, është e nevojshme të ndihmohen për t’u çliruar dhe për tëa bërë demokracinë, ndërkohë që elita e tyre luftarake zakonisht kërkon të marrë në dorë shtetin, e fuqishëm, për të sunduar popullin në emër të popullit.

Në njëfarë mënyre, popujt në zonat ku “përplasen civilizimet”, bëhen pjesë e proceseve globale dhe formojnë veten dhe të tjerët sipas kërkesave të kësaj lufte globale e cila zhvillohet e shkapërderdhur në kohë dhe në hapësirë.

Këtu dalim tek ideja themelore se procesi i ringjalljes nacionale të shqiptarëve, dhe lidhja e fuqishme shpirtërore dhe politike me kontinentin, përkatësisht proceset integrues e euroatlantike, e cila e dallon prej popujve përreth, i dhanë fuqi dhe energji të madhe përpjekjeve tona për liri, demokraci dhe bashkim.

“Nëna e pavdekshme e Adem Demaçit”, Shqipëria, e shkapërderdhur në disa shtete klasike të rajonit, po e merrte formën e një populli të civilizuar i cili me frymën dhe orientimin e vetë do të bëhet strumbullar i një rajoni të ri, dhe kështu përfundimisht do t’i kthehet kontinentit amë në një formë të re. Të gjitha devijimet identitare, të cilat përpiqen sot të na i imponojnë tinëzisht apo hapur, si konfrontim me të tjerët për fe dhe atdheun mitik, apo të dyja bashkë, nuk e ndalojnë rilindjen shqiptare e cila pas 500 vitesh sërish ka marrë rolin e mburojës evropiane dhe euroatlantike, në këtë zonë tepër të ndjeshme.

“Qe dymijë vjet kaluan ndër ne e mbi ne pushtues të shumtë e të egër, kurse gjendja është se sot jemi më të shumtë se kurrë, më të fortë se kurrë në histori”, thoshte Demaçi në vitin 1990, i cili sapo kishte dalë nga burgu ku kishte kaluar 28 vjet pa hequr dorë nga misioni i tij.

Shqiptarët, duke ndjekur shembullin e Demaçit, do të duhej të maten vetëm me hijen e vet dhe jo me fqinjët, dhe të bëjnë paqe vetëm me hijen e vetë. Të tjerat vijnë natyrshëm! Paqja me fqinjët është pasojë e natyrshme e kësaj.

E çka hyn këtu futbolli do të thoni?

Hyn, si nuk hyn! Nuk i ka rehatuar vetëm Kosova e vogël disa (ndër)kombëtare?!

Ndërkohë, politika po bën të kundërtën. Hija e saj është e vogël dhe mezi e mbulon veç lagjen e vet elitë të ndërtuar me grabitje. Demaçi ishte dhe mbeti e kundërta gjatë tërë jetës. Ai ishte njeriu me shtat të shkurtër i cili bënte hije kontinentale. Të gjithë u rritëm nën hijen e tij.

Exit mobile version