Telegrafi

Të martën takimi Haradinaj-Veseli-Kossnet për taksën, kryeministri e mirëpret

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e mirëpret takimin që do të mbahet të martën në mes tij, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ndonëse nuk ka dhënë detaje se çka do të flitet.

“Sa mirë që thatë për nesër, se ne deri nesër kemi me u pa prapë. Nuk po i përziejmë mesazhet, por prapë do kemi rastin sot ju lutem. E mirëpres takimin, diçka e mirë, është propozim i Veselit e mirëpres këtë takim”, tha ai.

I pyetur nëse më parë do ta hiqte taksën, ose ta rrëzonte Qeverinë, Haradinaj tha se “ka me u shkri bora dikur”.

Këto komente i ka bërë gjatë homazheve që ka bërë tek varri i ish- presidentit Ibrahim Rugova në përvjetorin e vdekjes së tij. “Vijmë me kolegët e Qeverisë në nderim të jetës dhe veprës të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Njëkohësisht me respektin për traditën për të gjitha këto që institucionet e vendit i vazhdojnë”, tha ai.