Pas identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, të martën e 25 korrikut në Lybeniq në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve në Lybeniq, do të rivarrosen mbetjet mortore të Jashar Hamzaj e Muharrem Bobi që për këto 24 vjet ishin në Listën e Personave të Zhdukur.
Këtë e ka bërë të ditur Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë tutje se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kishte pranuar një “Raport Analitik” nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, të cilin Gara e ka quajtur raport përmbledhës dhe përmbajtjesor.
“Ditë të dhimbjes së madhe për familjet Hamzaj dhe Bobi dhe gjithë familjarët e personave të zhdukur. Dhimbje që mund të mposhtet vetëm me krenari”, ka shkruar Gara.
“Përjetësisht Lavdi Muharrem Bobit dhe Jashar Hamzajt dhe gjithë të martirizuarve në altarin e lirisë”, ka shkruar tutje Gara.
Ai ka thënë se është detyrë e jona që t’i gjejmë më të dashurit tanë dhe se “është amanet I brezave ta lartësojmë lirinë”./Telegrafi/