Site icon Telegrafi

Të martën organizohet marsh protestues në Prishtinë kundër manipulimeve të Listës Serbe me votat e pakicave

“Naša Inicijativa”, ka njoftuar se do të organizohet protestë paqësore kundër “uzurpimit të vendeve të garantuara në Parlament”, si pasojë e një procesi jodemokratik zgjedhor dhe të kompromentuar nga manipulime në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021.

Në një komunikatë thonë se përmes këtij marshi protestues synohet të shprehen pakënaqësitë si komunitetet jo-shumicë dhe ‘t’i mbrojmë të drejtat e garantuara me Kushtetutë.’

“Po ashtu, do t’ju bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe atyre të huaja të reagojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për të filluar një proces hetimor në lidhje me dyshimet e ngritura”, thuhet në njoftim.

Protesta do të mbahet ditën e martë, më datë 2.3.2021, duke filluar nga ora 12:00 në Prishtinë.

Pikënisja e protestës fillon nga Hotel Grandi dhe do të marshohet drejt shesheve: Zahir Pajaziti; Nëna Terezë dhe Skenderbeu. Përpara Kuvendit të Kosovës do të ndalemi dhe nga aty do t’ju bëjmë thirrje institucioneve të reflektojnë.

“Ftojmë të gjithë qytetarët dhe shoqërinë civile të cilët kanë mundësi t’i bashkohen kauzës sonë, në kohën dhe vendin e caktuar”.

“Lusim të gjithë pjesëmarrësit që t’i respektojnë masat për t’u mbrojtur nga COVID-19 (maskat dhe distanca sociale obligative)! Për shkak të situatës epidemiologjike numri i pjesëmarrësve do të jetë deri në 50 persona” thuhet në fund.

Exit mobile version