Sot në autostradën “Arbër Xhafri” janë lënduar gjashtë punëtorë deri sa ishin duke punuar në ndërtimin e kësaj rrugë pranë Hanit të Elezit.
Shefi i shërbimit emergjent në Spitalin e Ferizajt, dr. Skender Fazliu ka njoftuar se ndihmë mjekësore kanë kërkuar 6 punëtorë, ku njëri nga ta kishte marrë lëndime më të rënda trupor, por që të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.
“Personi i parë që është sjellë është i nacionalitetit turk, ai është në gjendje stabile, i ka kryer të gjitha tretmanët, tash mendojmë për me lëshuar për në shtëpi. Një është i lënduar rëndë, i cili është i komunitetit shqiptar, ai do të transportohet për në Qendrën Emergjente, për konsulta të mëtutjeshme, të kirurgut torakal dhe neurokirurgut. Është stabil për jetë. Kanë qenë edhe katër persona tjerë, kryesisht kanë pasur lëndime të duarve, fraktura, të cilat nga ana e ortopedit janë imobilizuar, do të trajtohen në shtëpi”, tha Dr Fazliu për kp.
Ai sqaroi se informatën e kanë marrë para se të mbërrinin të lënduarit dhe kanë pasur mundësi të mobilizohen që t’u dalin në ndihmë të lënduarve.
“Në bazë të deklaratave të të lënduarve, aksidenti kishte ardhur pasi është rrëzuar një trase në lartësi prej 4-5 metra dhe të gjithë personat që janë lënduar, kanë qenë duke punuar në atë pjesë”, shtoi ai.