Site icon Telegrafi

Do të kthehej në Gjermani me bashkëshortin, familja prej dy vitesh nuk di asgjë për Mirjeta Zekën

Ka dy vite që Mirjeta Zeka nga Mitrovica konsiderohet e zhdukur. Ajo humbi pa gjurmë ditën kur do të kthehej për në Gjermani me bashkëshortin e saj.

Muhamedali Zeka ka dy vite që jeton në ankth. Kjo për shkak se motrën e tij, Mirjeta Zeka, nuk e ka parë që nga 30 marsi i vitit 2019.

Ajo ishte zhdukur ditën që planifikonte të kthehej në Gjermani me bashkëshortin e saj.

“Me 30 mars vëllai ka qenë për vizitë te motra dhe ka qëndruar te ajo deri rreth orës 23:00. Ata të nesërmen kanë pas për të udhëtuar në Gjermani. Nga ajo ditë ne i kemi shkëputur kontaktet me të dhe nuk dimë gjë”, tha ai për RTV Dukagjinin.

Zeka dyshon se bashkëshorti i motrës që është nga një fshat i Vushtrrisë ka gisht në zhdukjen e saj.

“Me dyshojmë se ai e ka vra motrën dhe e ka fsheh në ndonjë vend kufomën e saj. Është e pamundur prej dy vitesh të mos dëgjohet për së gjalli”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Prokurori i rastit për RTV Dukagjinin ka thënë se hetimet po vazhdojnë por po ka vështirësi në grumbullimin e provave.

“Rasti është paraqitur pas tre muajve nga ngjarja dhe po kemi vështirësi për të siguruar prova”, deklaroi prokurori Nijazi Rexha.

Se i dyshuar është bashkëshorti i Mirjeta Zekës, e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës është duke bashkëpunuar edhe me autoritetet gjermane pasi bashkëshorti i personit në fjalë është me shtetësi gjermane”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Vëllai i Mirjetës po kërkon ndihmë nga Kryeprokurori Lumezi që të intervenojnë në Prokurorinë e Mitrovicës pasi sipas tij nuk janë duke punuar si duhet./Telegrafi/

Exit mobile version