Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar sot arat e fermerëve llapjanë ku është duke u zhvilluar fushata e korrje-shirjeve.
Në komunën e Podujevës është duke u zhvilluar fushata e korrje-shirjeve, kurse për të përcjellë nga afër këtë fushatë kryetari i Komunës, Agim Veliu, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, kanë vizituar fshatin Bajçinë.
Duke u uruar të korra të begatshme, kryetari Veliu tha se beson që edhe sivjet do të ketë rendimente të mira të grurit për bujqit llapjanë.
Ai tha se Podujeva është komunë bujqësore, prandaj në vazhdimësi po i jepet prioritet bujqësisë, duke rritur edhe buxhetin e subvencionimeve në Drejtorinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Po vazhdojmë me rritjen e buxhetit në sektorin e bujqësisë në mënyre që përkrahja e Komunës të shkojë deri tek secili bujk që dëshiron ta punojë tokën”, theksoi kryetari Agim Veliu.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Podujevës (DBPZHR), Avni Fetahu, njëherësh kryetar i komisionit Komunal për përcjelljen e fushatës së korrjeve, tha se sivjet gruri është i cilësisë së mirë dhe rendimentet sillen prej katër deri në pesë ton për hektar.
Sivjet në komunën e Podujevës kanë qenë të mbjellura 6720 hektarë grurë. /Telegrafi/