Telegrafi

“Të kishe kaq shumë ushqim në tryezë ishte e rrallë”, Shqipëria e post-komunizmit në sytë e fotografit britanik, prezantohet në Prishtinë

Fotografi i huaj Barry Lewis, ka prezantuar në Prishtinë ekspozitën “Behind the Vail”, “Shqipëria gjatë izolimit dhe tranzicionit”, fotografitë që pasqyrojnë Shqipërinë e  viteve 1990 dhe 1991.

Ekspozita e fotografit britanik, u prezantua në kuadër të Festivalit Fotoist në Kosovë, që po vazhdon tash e disa ditë.

Lewis, në një intervistë për Telegrafin, deklaroi se e kishte vizituar Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria e post-komunizmit.

“Unë quhem Barry Lewis dhe erdha për herë të parë në Shqipëri në vitin 1990. Ishte shumë ndryshe atëherë, ndonëse tani nuk mund ta kujtoj saktësisht. Pretendoja se po na ndiqnin gjithë kohën nga sigurimi dhe ishim pesë persona dhe pretendonim se ishim arkeologë dhe kjo na dha mundësinë të udhëtonim nga qyteti në qytet”, deklaroi fotografi Lewis për Telegrafin.

Fotografitë të cilat u shkrepën nga ai në vitin 1990 dhe po ashtu në 1991 në disa zona të Shqipërisë, shpalosin historinë dhe dinamikat e vështira që po kalonin shqiptarët gjatë asaj periudhe.

“Gjithmonë duhej të kisha kujdes kur shkrepja fotografi, mund të bëja vetëm një foto, sepse shpesh na ndalonin”, tha Lewis, derisa shpjegonte prapavijat e fotografive.

Ai kishte shkrepur imazhet nga më të ndryshmet duke pasqyruar kështu një realitet rreth asaj se çfarë fshihej prapa një Shqipërie të izoluar.

“Kjo fotografi është në Shkodër. Ishte një martesë dhe ishte shumë e thjeshtë. Më duket se ky personi në foto ishte në partinë nacionaliste. Ishte në vitin 1991. Unë i takova në rrugë dhe po shkonin në dasmë. Nuk mendoj se ishin të varfër, sepse në vitin 1991 të kishe kaq shumë ushqim në tryezë ishte shumë e rrallë. Dhe siç mund ta shikoni, [prapa xhamit] qëndronin njerëz të varfër që po shikonin dasmën dhe dukeshin ishin shumë të uritur. Kishte shumë pak ushqim atëherë. Nuk mund të merrje as bukë”, rrëfeu artisti derisa shpjegonte fotografinë e një dasme shkodrane.

Foto: Një dasmë shkodrane në vitin 1991 / Barry Lewis

Lewis gjithashtu deklaroi se këto fotografi nuk janë prezantuar më herët në një ekspozitë, porse janë publikuar vetëm në revista.

Ai shpreson që të njëjtën ekspozitë ta prezantojë edhe në Shqipëri. /Telegrafi/