Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje me Spanjën për emigrantët sikurse ajo me Italinë.
Gjatë konferencës për shtyp në Madridi ku po do të nënshkruajë marrëveshjen për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, që do të mbahet në Tiranë dhe do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës, Rama theksoi se nuk e shikon të mundshme një marrëveshje me Spanjën për emigrantët për shkak të pozicionit gjeografik.
“Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet me gjeografinë. Nuk e shoh të mundshme. Nëse e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të besueshme është që emigrantët nuk ndalojnë në Itali se po të ndalojnë në Itali, hyjnë në territorin e BE dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ndal në Shqipëri. Sa e mundshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri dhe nuk e shoh të mundshme dhe nuk besoj se është zgjidhja përfundimtare e krizës së emigracionit. Europës i duhet të luftojë emigracionin, por ka gjithnjë e më tepër nevojë për emigrantë”.
I pyetur nëse po dështon plani me Italinë për emigrantët, Rama tha se për këtë përgjigjen duhet ta marrin nga homologia e tij Giorgia Meloni.
“Nuk kam asnjë mendim për këtë. Pyetja duhet t’i drejtohet simotrës italiane Giorgia Meloni sepse për ne të qenit pjesë e kësaj marrëveshjeje është shumë e thjeshtë. Na u kërkua nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon, ne ndihmojmë gjithmonë se marrëdhënia jonë është mijëvjeçare. Ne i detyrohemi shumë Italisë sidomos për atë çka Italia ka bërë pas rënies së komunizmit dhe që na ka ndihmuar shumë në momente dramatike. Kur patëm tërmetin shkatërrues trupa italiane të emergjencave civile rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat. Ata na e kërkuan këtë dhe ne e ndihmuam çdo komb duhet të ndihmojë njëri tjetrin. Është një operacion që është 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane dhe duhet të pyesni palën italiane”, ka deklaruar Rama./A2 CNN