Site icon Telegrafi

A do të ketë Evropa ushqim të mjaftueshëm?

Paraqitja e epidemisë së coronavirusit në të gjithë botën, bëri që një nga gjërat e para që njerëzit bënë masivisht ishte blerja e furnizimeve ushqimore. Ky është një reagim i pritur dhe logjik duke pasur parasysh paqartësinë e situatës, megjithëse në një sjellje të tillë kishte një dozë paniku.

Të gjithë i mbajmë mend fotot e rafteve të boshatisura të supermarketeve, por disa javë më parë u mbushën përsëri.

A do të mbetet kështu?

Pandemia e coronavirusit e ka kthyer gjendjen normale të punëve përmbys, duke çuar në mbylljen e një numri sektorësh ekonomikë dhe ndërprerjen e linjave të furnizimit, kështu që pyetja nëse Evropa do të ketë ushqim në planin afatgjatë në rast të vazhdimit të masave aktuale për të luftuar përhapjen e coronavirusit për muaj me radhë, nuk është aspak e papritur. Në të vërtetë, kjo është një pyetje që duhet të bëhet, transmeton Telegrafi.

Politico: Evropa nuk do të vdes nga uria

Politico shkruan se “Evropa nuk do të vdes nga uria për shkak të coronavirusit, por epidemia po e bën më të vështirë për të marrë sende ushqimore nga raftet e marketeve”.

Bart Vandewaetere, nënkryetari i marrëdhënieve nga kompania Nestle, i ka thënë Politicos se produktet e tyre po arrijnë në depo deri më tani, por me një vonesë për shkak të masave të vendosura nga qeveritë evropiane.

David Coleman i kompanisë Mars, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun për këtë kompani kryesore evropiane të ushqimit, thekson se gjithçka që është duke bërë është “menaxhimi i krizave” që do të vazhdojë ashtu siç duhet, por beson se evropianët “nuk do të kenë probleme me ushqimin e pakët”.

KB: Mungesa e ushqimit është e mundur vetëm në prill dhe maj

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e KB parashikon që “mungesa e rastit e produkteve të caktuara”, veçanërisht perimeve, do të pasojnë, por shton se çmimet e ushqimit nuk pritet të rriten në këtë situatë. Por ata paralajmërojnë se mungesa të konsiderueshme të ushqimit mund të vërehen deri në prill dhe maj.

Transmetuesi publik gjerman ARD ofron një pamje pak më pak optimiste në kontributin e saj dje për mungesën e punëtorëve sezonalë në bujqësi, pa të cilat shumë nga korrjet e ardhshme nuk do të jenë të mundshme.

Sigurisht, punëtorët nga Evropa Lindore mungojnë, ose për shkak të epidemisë, ose janë rikthyer në vendet e tyre të lindjes, ose tani nuk janë në gjendje të hyjnë në Gjermani për shkak të kufizimeve të lëvizjes, kështu që ministrja gjermane e bujqësisë Julia Klöckner po mendon të prezantojë përjashtime nga ndalimi i tyre. Funksionimi i bujqësisë gjermane varet nga të paktën 300,000 punëtorë sezonalë që tani janë zhdukur.

Gjermanisë i mungojnë punëtorët sezonalë të Evropës Lindore në bujqësi

“Ne nuk mund t’i lëmë fshatarët në humbje”, tha Klöckner, e cile e përshkruan bujqësinë si një “aktivitet të rëndësishëm sistematik”.

Konsiderohet gjithashtu që të përfshihen të papunët dhe azilkërkuesit në korrjet e ardhshme, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk do ta zgjidhë problemin, pasi janë punëtorë të papërvojë në sektorin e bujqësisë që nuk do të mund të bënin të gjitha punët e nevojshme menjëherë. Problemi është gjithashtu nëse punëtorët sezonalë nga vendet e Evropës Lindore në këtë situatë duan të vijnë në Gjermani.

Kina dhe Vietnami ndaluan eksportet e orizit

Kina është prodhuesi më i madh i ushqimit në botë, dhe një studim i Universitetit të Kinës zbuloi se më shumë se 60 për qind e fermerëve kinezë presin një korrje të dobët këtë vit për shkak të pandemisë, ata nuk kishin asnjë punëtor për të mbjellë. Ajo që nuk mbillet nuk mund të korrret më vonë, deklaruan mediat gjermane. Gazeta kujton se Kina dhe Vietnami kanë ndaluar eksportet e orizit nga vendet e tyre.

Profesori i ekonomisë Cheng Guiqian nga Universiteti Tongji në Shanghai parashikon se “nëse epidemia nuk kontrollohet në mënyrë efektive, mungesa të rënda ushqimore do të pasojnë në të gjithë botën”, veçanërisht në vendet e botës së tretë. Vendet pa prodhimin e tyre bujqësor do të jenë veçanërisht të rrezikuar, siç do të jenë vendet që importojnë produkte ushqimore nga vetëm disa vende.

Në shumë vende evropiane, çmimi i ushqimit aktualisht po bie për shkak të mungesës së papritur të kërkesës për produkte ushqimore nga sektorët e hotelit dhe turizmit. Por çmimet pritet të rriten brenda disa muajsh, kur do të ndihen disa mungesa ushqimore, përcjell Telegrafi.

Problemi i zinxhirëve të transportit dhe furnizimit

Prodhimi i ushqimit është vetëm një aspekt i problemit, tjetri është zinxhirët e furnizimit dhe transportit. Kishte gjithashtu probleme brenda Bashkimit Evropian në momentin kur anëtarët filluan të mbyllnin kufijtë ose të vendosnin kufizime të rrepta për ta, duke shkaktuar turma në kufij, diku dhe kolona automjetesh mbi 80 kilometra të gjatë.

Komisioni Evropian tani po punon në Planin B nëse situata e transportit bëhet përsëri e ndërlikuar. /Telegrafi/

Exit mobile version