Përshëndetje AI!
Ka një mënyrë për ta refuzuar teknologjinë? Dhe, nëse ka, a është ajo e mirëpritur? Përgjigjja për këto dy pyetje është një dhe e vetme: Jo!
Teknologjia është kudo dhe në gjithçka. Çfarë mund të bësh ti është që ta marrësh kontrollin mbi të – të investosh çdo ndjesi dhe mendim, si dhe të pranosh se nuk ka më një realitet të zhveshur prej saj.
Sot teknologjia pashmangshmërisht lidhet me risitë më të fundit. Megjithatë, vetëm duke pasur optikë më të gjerë, mund të kuptosh rolin e saj përgjatë ekzistencës së njeriut. Sepse, teknologjia është më shumë se një smartfon, më shumë se një kompjuter apo makine elektrike. Ajo vetë është një “artefakt” i krijuar nga njeriu.
Ekziston shqetësimi se përparimi i teknologjisë do të nxis papunësinë në masë të gjerë, si dhe vështirësitë e tjera. Në të vërtetë – po, por, Inteligjenca Artificiale po e formëson të ardhmen e njerëzimit pothuajse në çdo industri, përfshirë këtu edhe industrinë kreative.
Nuk është aspak sekret që emocionet drejtojnë sjelljet e njeriut. Pikërisht këto emocione, shoqëruar me njohuri të përvetësuara dhe pyetje që kërkojnë përgjigje, e ushqejnë AI-në [Inteligjenca Artificial] nga vetë njeriu. Produkti që përfitohet më pas nga Inteligjenca Artificiale, pa u zgjatur në kërkim, padyshim që ndihmon në optimizimin e komunikimit mes palëve.
Jo vetëm asistent ëndrrash – për një krijues
Al-ja mendimin po e bën edhe më performues në kohë. Megjithatë, Inteligjenca Artificiale është sfiduese nëse marrim parasysh evoluimin e njerëzve, të komuniteteve dhe kulturave. Çfarë e bën sfiduese dhe jo të pamundur është fakti se gjithmonë do të kërkohet një përgjigje për emocionet që fshihen pas nevojave individuale.
Një nga përfitimet më domethënëse që AI ofron për krijuesit është mekanizimi i një reagimi të shpejtë, çka tërheq pas vetes një marrëdhënie të shkëlqyer me klientët. Për shumë prej tyre, AI tashmë luan një rol të përditshëm, si të jetë asistent, bashkëpilot thuajse i padukshëm duke kursyer mjaft kohë; duke transformuar të dhënat e grumbulluara në përvoja empatike globale, me në qendër klientin.
Sfida që shtrohet përpara është ajo e përfitimit të rezultateve që përkojnë me realitetin lokal dhe jo atë global. Deri tash, AI për përdoruesit e saj ofron informacion të lidhur ngushtë me të dhëna e njohuritë empirike, ndërkohë që kërkon tendenca themelore. Këto të dhëna e njohuri gëzojnë formën e informacionit digjital, vizual, të tekstit etj. Që AI-ja të ofrojë modele edhe më të dobishme dhe të pakundërshtueshme, i duhet të përvetësojë realitet, mendësitë dhe gjuhët lokale, me gjithçka që e karakterizon.
Ky është “lapsi” i ri me të cilin po pajisen krijuesit: derisa markat synojnë nevojat individuale të konsumatorit, AI ua bën të mundur lidhjen me ta në një dimension tjetër, duke ua ofruar atë çfarë dëshirojnë dhe kërkojnë. Por, kjo gjë ndodhë vetëm nëse ka ndërveprim njerëzor, ndërgjegjësim kontekstual dhe nuanca kreativiteti. Është e sigurt që inteligjenca artificiale do të kërkojë gjithmonë zemrën dhe mendjen e njeriut për të funksionuar me potencialin e saj të plotë dhe të suksesshëm në kohë.
AI + truri i njeriut = Checked
Inteligjenca artificiale e katalizon krijimtarinë njerëzore duke identifikuar modelet, duke filtruar dhe grupuar sasi të mëdha informacioni, si dhe duke udhëzuar e parashikuar rezultatet e punës.
Po ndalem më gjatë, për ta pasur kështu më të qartë se si AI-ja e mbështet mendjen krijuese dhe jo medoemos mund të përbëjë rrezik për të. E them këtë sepse ekspertët e Inteligjencës Artificiale janë të shqetësuar për potencialin e AI-së dhe për mënyrën e përdorimit të saj.
1. Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë modelet në grupe të mëdha të dhënash, sikurse të paraqesë përmbajtje më të tretshme sesa të dhënat apo numrat; frymëzon kështu krijuesit t’i zhvillojnë idetë dhe t’i konkretizojnë këto ide fare thjesht në gjuhë vizuale.
2. AI mund të shkurtojë dhe analizojë – automatikisht – sasi të mëdha informacioni vizual dhe jo vetëm – nga burime të ndryshme; të krijojë grafikë të njohurive dhe t’i ndihmojë krijuesit t’i identifikojnë lidhjet midis të dhënave në dukje të palidhura.
3. Inteligjenca artificiale mund të drejtohet nga njeriu drejt qëllimit final (një pune krijuese), duke parashikuar rezultatet dhe të dhënat ekzistuese, ndërsa mundet edhe të të orientojë për ato që konsiderohen jopremtuese.
4. Në përfundim të çdo procesi, e theksoj: Imputi njerëzor do të jetë përmbledhës, përkufizues dhe përshtatës për atë çfarë kërkon vetë krijuesi/kërkuesi i informacionit.
Ka kohë që truri i njeriut nuk është më i vetmi vend ku mund të ndodhin proceset kërkuese apo krijuese, edhe pse kjo e fundit mbetet pikënisja dhe motori shtytës për gjithçka të jashtëzakonshme – ku emocioni luan një rol shumë të rëndësishëm.
Në fund të fundit, a nuk është më argëtuese që të zhvillohen konceptet që i gjenerojnë emocionet, në vend që të kalohet koha, fjala vjen, duke provuar stile të pafundme fonti, imazhi etj.?
Pavarësisht bllokimeve të bëra rishtazi ndaj disa platformave, nuk ka dyshim se AI-ja në të ardhmen e afërt do të kujdeset gjithnjë e më shumë për detyrat rutinore të përditshmërisë.
Gjithçka varet nga kontrolli njerëzor për nevojën për AI-në. Ndërveprimi, shqisat, përjetimi dhe mbi të gjitha emocioni do të jenë hapësirat unike për vendimet autonome nga krijuesi njerëzor. Sepse në industrinë kreative, është njeriu ai që i jep punës zemër e mendim.
P.S.: Koha do të tregojë gjithçka!
(Autori është themelues dhe CEO i Vatra Agency. Titulli i shkrimit në gjuhën angleze: To be or not be afrAId on being a human creative!?)