Telegrafi

Do të kërkohet lehtësim i masave për ardhjen e mërgimtarëve në Maqedoni

“Ministria e Ekonomisë do të kërkojë nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive t’i lehtësojë protokollet për ardhjen e mërgimtarëve në vend gjatë verës, por Qeveria do t’i miratojë propozimet e Komisionit sepse ato janë institucioni më i kompetent në kushte pandemie dhe rekomandimet e tyre bazohen në prova shkencore”.

Këtë e tha sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili shtoi se si ministri kanë dhënë disa sugjerime dhe ide se si duhet të jenë protokollet për ardhjen e mërgimtarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Si Ministri e Ekonomisë, unë si ministër dhamë sugjerime dhe idetë tona se si duhet të jenë protokollet dhe çfarë parashikohet në ato protokolle në zona të ndryshme sepse ardhja e mërgimtarëve në vend gjatë verës është shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit, por ne do të respektojmë rekomandimet që do t’i jap Komisioni. Ne sigurisht që do të flasim hapur dhe në mënyrë transparente për sigurinë shëndetësore të mërgimtarëve që do të vijnë në vend për t’u siguruar nga autoritetet, por në të njëjtën kohë do të ofrojmë mundësi për funksionimin normal të ekonomisë së vendit”, tha Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetjen nëse mërgimtarët do të duhet të jenë në karantinë 14-ditore pas ardhjes në vend.

Ai potencoi se mërgimtarët gjatë verave të kaluara në vend kanë shpenzuar mbi një milionë euro.

“Ndikimi negativ që mund të ketë mos ardhja e emigrantëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë sigurisht shumë i madh, por ne po bëjmë përpjekje maksimale, duke u nisur nga aspekti shëndetësor që këtë verë do të na japë mundësinë sa është e mundur më lehtë ato të vijnë në vendlindjet e tyre. Jam i bindur që qytetarët do t’i respektojnë masat e miratuara nga Qeveria – duke mbajtur distancën, por në të njëjtën kohë edhe të gjitha rekomandimet e tjera që do t’i lehtësojmë deri në mes të korrikut, pa kapërcyer procedurat si vetizolimi, karantina, etj”, tha Bekteshi.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut prej sot janë hapur kalimet kufitare, përveç aeroporteve, ndërsa qytetarët që duan të hyjnë në Maqedoni duhet të kenë test të vlefshëm negativ për coronavirus dhe të qëndrojnë 14 ditë në izolim shtëpiak./Telegrafi/