Le të na frymëzojnë këto imazhe për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të kujtuar: edhe në momentet më të errëta, nuk jemi kurrë vetëm
Projekti “Të kam në mendje” i ideatores Malda Susuri, tashmë ka gjetur përkrahje masive të 250 fytyrave publike me ndikim në shoqërinë shqiptare, të cilat me përvojën e tyre jetësore japin mesazhe shumëngjyrëshe dhe inkurajuese.
Projekti, në pjesën e dytë, përveç deklaratave, ka përfshirë edhe fotografitë; secila ngërthen në vete nga një histori, tepër të veçantë, por edhe sikur tregojnë mënyrën e tejkalimit të çdo pengese në jetë.
Të gjitha këto fotografi të punuara me përkushtim dhe emocion nga Arton Humolli (Kosovë) dhe Suada Ani Muraku (Shqipëri) tregojnë më së miri se askush nuk është i privuar nga vuajtja, depresioni, trazimi shpirtëror…, megjithatë, shëndeti mendor është një udhëtim i gjatë që kërkon durim pa mbarim, ndonëse asnjëherë nuk jemi vetëm.
Kjo qasje kombinon procesin krijues me një qëllim terapeutik, sepse arti fotografik është një formë e natyrshme e shprehjes dhe komunikimit që ndihmon në kapërcimin e barrierave verbale, transmeton Telegrafi.
“Të kam në mendje”, është një projekt i mundësive dhe shikimit të këndvështrimeve të reja. Është e rëndësishme për ne që të dëgjojmë, të shohim dhe të ndiejmë, të qeshim, të argëtohemi, të përqafohemi, të qajmë, të ngushëllojmë, të zemërohemi dhe të ndajmë gjithçka që njerëzit mund të ndajnë emocionalisht. Me fjalë të tjera, ne mund t’i tregojmë njëri-tjetrit se sa të nevojshëm dhe të pashmangshëm jemi dhe sa më të fortë jemi bashkë.
Dihet se brenda nesh jeton edhe dhembja, disi e fshehur, megjithatë jeta i ka ngjyrat e veta. Në mesin e këtyre ngjyrave, shpesh shfaqet edhe e zeza. Por, mrekullia e forcës bën që të kapërcehen krejt momentet e vështira dhe të përvuajtura, sepse fundi gjithmonë do të jetë i lumtur, dhe… derisa ka jetë, ka edhe shpresë.
Natyrisht, jo pas çdo buzëqeshjeje gjendet liria, por pas çdo lumturie, gjendet buzëqeshja. Ju takon juve ta gjeni këtë!
Përvoja ka dëshmuar se jeta gjithmonë ofron më shumë dashuri se urrejtje, prandaj nëse do të ndërtonim një moto për jetën, ajo do të ishte: “Jetoje jetën me dashuri, forcë dhe kujtime të bukura.”
Sado e madhe që të jetë plaga, ajo do të shërohet, nëse trajtohet me kohë, durim dhe shpresë në vetvete.
Çdo fotografie do t’i flinte thënia e filozofit persian Xh. Rumi, i cili e poetizoi kështu jetën: “Mbylla gojën dhe ju fola në njëqind mënyra të heshtura.”
Megjithatë, jo çdo heshtje në jetë, vret. Mesazhi sublim i secilit veç e veç, sikur e ngërthen në vete porosinë e përbashkët se pa dashuri dhe flijim, jeta nuk ka kuptim.
/Telegrafi/