Site icon Telegrafi

Të jetosh më sfidat e demokracisë në sistemin global!

Xhevat Sefaj

“Demokracia është më e keqja e të gjitha formave të qeverisjes, me përjashtimin e vetëm të të gjitha formave të tjera të qeverisjes”- Winston Churchill.

Demokracia si një formë e qeverisjes, më pjesëmarrjen e saj në politikë ka linjën e saj ndarëse në kufijtë nacionalë, e vendimet që ndikojnë në jetët e njerëzve bëhen në bazë të territoreve specifike. Në kohën e globalizimit, shumë vendime dhe rezultatet e tyre shtrihen përtej kufijve kombëtar. Veç kësaj, faktorët e mëdhenj globalë, siç janë kompanitë multinacionale dhe organizatat ndërkombëtare janë të (pa)përgjegjshme për ndryshimet e arritura socio-ekonomike në botën tonë. Globalizimi po ashtu mund të ndihmojë për shpërndarjen e demokracisë, duke i bërë më të arritshme për të tjerët teknologjitë e reja dhe informatat.

Pakujdesia e demokracisë në këtë botë të globalizuar, ku vendimmarrja shpesh është në duart e forcave ekonomike apo institucioneve të fuqishme, është përgjigje e një grupi më të madh ndërkombëtar të lëvizjeve sociale të kohëve tona antiglobaliste. Adhuruesit e antiglobalizimit protestojnë për një numër qëllimesh, përfshirë këtu mbrojtjen e ambientit, faljen e borxheve, të drejtat e kafshëve, mbrojtjen e fëmijëve, anti-kapitalizmin, paqen dhe të drejtat e njeriut. E përbashkëta e tyre është ndjenja se botës së globalizuar i mungon iniciativa demokratike.

Mënyra themelore e kësaj lëvizjeje është demonstrimi masiv. Së pari u vërejt nga mediet ndërkombëtare në vitin 1999, kur 100.000 demonstrues marshuan në ceremoninë e hapjes së takimit të tretë të ministrave në Qendrën Botërore Tregtare (QBT) në Sietëll. Pastaj, protesta të tjera u shfaqën në takimin e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Uashington dhe Pragë, Forumi Botëror Ekonomik në Davos (Zvicër), Samiti i Bashkimit Evropian në Gotheburg (Suedi) dhe Samiti e G-8 në Gjenevë (Zvicër).

Prandaj, në shkurt të vitit 2002, disa aktivistë organizuan mbledhjen në Forumin Social Botëror në Porto Alegre në Brazil, si një alternativë të demonstratave masive shpërthyese. 60.000 pjesëmarrësit si përfundim diskutuan alternativat e kapitalizmit global, opozitën ndaj militarizmit dhe mbështetjen për paqe dhe drejtësi sociale.

Duke ushtruar të drejtën e tyre për t’u mbledhur, shoqëria civile ka provokuar një debat publik mbi qeverisjen demokratike globale, mbi demokratizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në institucionet ndërkombëtare. Lëvizja thërret për vëmendje ndaj rrezikut konstant që liberalizmi ekonomik mund të minojë themelet e tij, me liritë civile dhe politike, duke u tallur me rëndësinë e të drejtave ekonomike dhe sociale.

Megjithëse ndryshimet e pamjes në të cilën vendimmarrja ndërkombëtare bëhet edhe një valë e re e pjesëmarrjes duket se është një ëndërr e pazakontë, aktorët (e rinj) global në mënyrë të shtuar duhet të japin llogari se çka janë duke bërë në saje të përkujdesjes së rritur publike dhe po ashtu janë të detyruar të mendojnë për mënyra të reja të përfaqësimit demokratik, transparencës dhe përgjegjësisë. Po ashtu kemi një rritje të mungesës së demokracisë në organizatat ndërkombëtare, korporatat multinacionale dhe organizatat joqeveritare.

Roli i shteteve në nivelin rajonal dhe global po ndryshon. Organizatat ndërkombëtare, korporatat multinacionale dhe organizatat joqeveritare kanë hyrë në skenë si aktorë të rëndësishëm në politikën botërore. Vendimet dhe rregullat e tyre ndikojnë në politikat e shteteve dhe në jetët e miliona njerëzve. Prandaj, një pyetje kyçe të cilës duhet t’i përgjigjemi është: Sa janë demokratikë/jodemokratikë këta aktorë jo shtetërorë? T’i gjesh përgjigjen kësaj pyetjeje do të thotë të hulumtosh veprimet dhe politikat, si dhe procesin e vendimmarrjes të çdo organizate, FMN apo OJQ dhe gjurmimi nëse parimet e demokracisë (përgjegjshmëria, legjitimiteti, pjesëmarrja, përfaqësimi dhe transparenca) janë përmbushur.

Projekt-propozimet për demokratizimin e aktorëve jo shtetërorë janë diskutuar gjerësisht. Shembujt përfshijnë: reformën e Këshillit të Sigurimit; krijimin e asamblesë globale të popujve, si dhe më shumë sisteme demokratike dhe efektive për OTB, FMN dhe Bankën Botërore; themelimi i një parlamenti për OTB; futjen e kodeve të sjelljes dhe kodeve të etikës.

1. Demokracia, shteti komb në sistemin global

Mangësitë e një teorie, në këtë rast të demokracisë vijnë në shprehje me termat e referencës së saj drejtpërdrejt nga shteti-komb. Legjitimiteti demokratik kufijtë e demokracisë bëhen të qarta nga një shqyrtim i shtrirjes dhe efikasitetit të parimit të sundimit të shumicës, që nënkupton mbizotërimi i parimit të vendimeve që marrin numra më të mëdhenj të votave si legjitimitet demokratik.

Teoricienë të shumtë të teorisë se demokracisë gjatë shekullit XX ishin përqendruar mbi kontekstin organizativ dhe socio-ekonomik të procedurave demokratike dhe efektet që ky kontekst ka mbi funksionimin e sundimit të shumicës. Në fakt është shumë vështirë të definohet demokracia moderne, ka shumë mendime se çfarë duhet të jetë një shoqëri për t’u quajtur demokratike. Në të shumtën e rasteve demokratike konsiderohet një shoqëri që e karakterizon shumëllojshmëria e partive, e medieve dhe e organizatave të pavarura.

Me qëllim të shpjegimit të demokracisë edhe mendimtarët klasik kanë dhënë pikëpamje të larmishme për demokracinë. Në mes tjerash Max Weber thekson ekskluzivisht çështjen e udhëheqjes në demokraci, prandaj sistemi i tij i preferuar njihet si “elitizëm demokratik”. Gjithashtu kur po flasim në këtë perspektivë autorë të tjerë si Maurice Duvergere, përmend se “demokracitë perëndimore të sotme i definon si “tekno-demokraci” të kontrolluara rreptësisht nga një oligarki ekonomike”.

Në vazhdimësi me këtë, po përkujtojmë se Schumpeter e kupton demokracinë si “sundim i politikanit dhe jo i popullit”. Në të vërtetë demokracia, pavarësisht prej aspektit nominal, sundimin e popullit e ofron në një mënyrë të kufizuar. Ndërkohë që të gjithë jemi në dijeni se, sipas parimeve, pushteti i takon klasës politike, e cila vendoset përmes kanaleve shumë specifike (duke bërë karrierë brenda ndonjë partie), madje edhe përmes arsimimit në shkolla me famë.

Sipas Karl Poperit “Të gjitha demokracitë tona nuk janë qeveri të popullit, por qeveri të partive. Domethënë qeveri të drejtuesve të partive; xhanëm sa më e madhe është një parti, aq më pak unike është ajo, aq më pak demokratike është ajo, aq më pak ndikim kanë në udhëheqjen e partisë dhe në programin e partië ata, që votojnë për partinë”

Andaj krijohet bindja se demokracitë e sotme janë në të vërtetë aristokraci, për faktin se drejton elita e qytetarëve. Kujtoj se demokracia avancon për nga përparësitë e saja në krahasim me trajtat tjera të organizimit politik e shoqëror, ajo nuk ka si slogan “enigmën e zgjidhur të historisë”, por përfshinë një numër shumë të madh lëmenjsh të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të organizimit të shoqërive moderne. Dilema tjetër qe ngrihet në diskutimet për demokracinë është edhe fati i sovranitetit të shtetit-komb, edhe pse ai nuk vihet ne dyshim, por shteti i cili përgjithësisht ka kontroll mbi fatin e tij dhe u nënshtrohet ligjeve dhe kompromiseve që duhet t’i bëjë, kufijve të imponuar nga faktorët që veprojnë brenda kufijve të tij territorialë dhe nga faktorë të përfaqësuar nga qeveritë e shteteve tjera.

Studiusi David Held mendonte se “teoria e demokracisë e shekullit XIX dhe XX , se bashku me shumë prej teorive sociale dhe politike, përgjithësisht e ka pranuar botën përtej shtetit-komb si të mirëqenë të nënshtruar ndaj një dispozite se “gjithçka tjetër është krejt njësoj” Pikëpamjet kryesore mbi ndryshimin social dhe politik kanë pohuar se, origjina e ndryshimit shoqëror duhet të gjendet kryesisht në proceset e brendshme në shoqëri”. Pra ndryshimet ndodhin pikërisht ne mekanizmat e ndërtuar në strukturën e një shoqërie të caktuar që udhëheq zhvillimin e saj.

Kohëve të fundit rendi i shtetit- komb është duke ndryshuar e bashkë më të është duke ndryshuar edhe rendi global. Për një kohë të gjatë është dëshmuar një model kompleks i implikimeve globale, ndërkombëtarizimi i aktiviteteve të brendshme, intensifikimin i vendim-marrjeve në rrafshin ndërkombëtar. Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe trans-nacionale e kanë ndryshuar fuqinë e sovranitetit të shtetit.

Proceset globale e kanë zhvendosur politikën nga aktiviteti, para së gjithash për rreth shtetit dhe probleme ndërkombëtare, megjithatë proceset globale kanë sjellë edhe mospërputhje, kanë kufizuar lirinë e veprimit nga qeveritë dhe shtete, duke mjegulluar kufijtë e politikes së brendshme sepse kane ndryshuar kontekstin institucional dhe organizativ të shteteve kombëtare.

Sipas David Hild “çfarëdo koncepti i sovranitetit, i cili e interpreton atë si një formë të pakufizuar dhe të pandashme të pushtetit publik, është sfiduar. Vetë sovraniteti duhet të konceptohet në ditët e sotme si i ndarë ndërmjet një numri faktorësh- kombëtarë, rajonal dhe ndërkombëtarë- dhe i kufizuar në vetë natyrën e tij nga ky pluralitet”.

2. Demokracia ne tranzicion: ri-mendimi i shteteve kombe

Demokracia e sotme në të cilën ne jetojmë është në fazën e fundit të tranzicionit. Në njërën anë, ka tendenca të qarta, të cilat e dobësojnë demokracinë dhe llogaridhënien brenda dhe përtej shtetit-komb, kjo nënkupton se po jetojmë në një epokë gjithnjë e me globale dhe ne vazhdimësi pushteti përqendrohet në duar të kapitalit multinacional prodhues, financiar dhe rolit të dobësuar të shteteve të ballafaquara me procese dhe forcat demokratike globale te tregut duke ju përshtatur gjithnjë e më shumë tregjeve globale.

Pra ri-mendimi për tu përshtatur me tregjet e shteteve te fuqishme globale, njëkohësisht me agjendat e OKB-së duke ju përshtatur shteteve të fuqishme, la zbrazësi në shumë projekte të saja të zbatueshme, varësia e vazhdueshme e programeve të saj në përkrahjen financiare të disa vendeve, papërshtatshmëria e zbatimit të sigurisë së shumë regjimeve mjedisore (rajonale dhe globale) të gjitha këto janë pasqyrë e efikasitetit të kufizuar dhe shtrirjes së demokracisë në nivel global.

Një nga studiuesit e liberalizmit të tregtisë Joseph E. Stiglitz fitues i çmimit nobel për ekonomi, dha disa arsye se pse liberalizmi i tregtisë nuk mund ti mbaj shumë shpesh premtimet e tij, në vend qe ta zvogëlon papunësinë ajo vetëm e rrit atë. “hipokrizia e atyre që e nxisin liberalizmin e tregtisë dhe mënyra se si e bëjnë ata këtë- nuk ka dyshim se e ka forcuar armiqësinë për liberalizmin e tregtisë.

Vendet perëndimore nxitën liberalizmin e tregtisë për prodhimet të cilat ata i eksportuan, por në të njëjtën kohë vazhduan të mbrojnë ata sektor, në të cilët konkurrenca nga vendet ne zhvillim mund t’i ketë kërcënuar ekonomitë e tyre”.

Stiglitz trajton një nga problemet më shqetësuese të kohës sonë shtetet në zhvillim të quajtura ndryshe shtetet e botes se tretë të cilat nuk janë të zhvilluara fare, duke i akuzuar direkt programet jo prioritare të politikave të FMN-së për vendet ne zhvillim.

Ne librin “Globalizmi dhe Pakënaqësitë e shkaktuara prej tij’ Stiglitz si me i ashpër ne kritikat e tij ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar së më politikat e tij i dobëson demokracitë e vendeve në zhvillim, “ duke i detyruar ato të hapin tregjet e tyre për mallrat e vendeve industriale të zhvilluara, ndërsa mbajnë tregjet e tyre të mbrojtura, politika këto që i bëjnë të pasurit edhe më të pasur dhe të varfrit edhe më të varfër- dhe gjithnjë e më të zemëruar“, natyrisht qëllimi i Stiglizit nuk ishte për t’i parë gjerat vetëm bardh e zi por për një ri-mendim se si të menaxhohet globalizmi më ndryshe se sa deri tani, duke dhenë kontributin e tij në hapjen e debateve qe do të qojnë ne politika më të mira dhe në këtë mënyrë në rezultate më të mira.

Studiuesi majtist amerikane Naom Chomsky i cili u be i njohur pas luftës ne Vietnam me kritikat ndaj politikes së jashtme te SHBA-ve. Chomsky i cili veten e quan socialist liberal ,është kritikues i ashpër i korporatave transnacionale te cilat i shfrytëzojnë fuqinë e lire punëtore për një grup te vogël elitash. Ne veprën e tij „Medie, propaganda dhe sistemi“ ai shkon aq larg sa qe i veri ne baras peshë propagandat ne demokraci, ngjashëm me propagandat ne shtetet totalitare. “Propaganda ne demokracitë e avancuara është e njëjtë me dhunën ne vendet totalitare. Dallimi qëndron vetëm ne sofistikimin e mjeteve qe i përdorin….Shteti i cili s’arrin t’i kontrolloj njerëzit përmes dhunës, e bënë përmes kontrollit të mendimeve. Shkollat sipas tij, janë fabrikat që prodhojnë produktet e “dëgjueshmërisë” dhe ruajtësit e “qetësisë sociale”.

Pra ndryshimet strukturore te popullsisë në punësim dhe kualifikim lënë edhe mangësi të shumta të kohezionit social, kjo është dobësia e shteteve tranzicionale, mendoj se tani e tutje debatet duhet të orientohen të kjo problematikë se si të gjejmë zgjidhje alternative që me ndryshimet strukturore të popullsisë brenda shteteve-kombe me sisteme ekonomike të rekomanduara nga lartë poshtë gjatë fazës kalimtare të tranzicionit ne sistemin e ekonomisë së tregut të mos ndikojë në rritjen e pabarazive shoqërore.

Exit mobile version