Donald Trump vazhdon të shpërblejë individët që e mbështetën gjatë rrugëtimit drejt Shtëpisë së Bardhë.
Ai njoftoi se ka caktuar zëdhënësen e tranzicionit, 27-vjeçaren Karoline Leavitt, si sekretaren e shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Trump tha se Leavitt bëri një punë të jashtëzakonshme gjatë fushatës dhe se ka besim të plotë në aftësitë e saj për të përfaqësuar administratën e tij.
“Kam besimin maksimal që ajo do të shkëlqejë në podium dhe do të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit tonë për popullin amerikan, ndërsa ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, deklaroi 78-vjeçari.
Detyra e sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë është të informojë publikun për aktivitetet e presidentit, pa tradhtuar besimin e tij, shkruan bbc.
Karoline Leavitt do të jetë sekretarja më e re e shtypit në historinë e Shtëpisë së Bardhë. Sekretari më i ri i mëparshëm ishte Ron Ziegler, i cili ishte 29 vjeç kur u emërua nga ish-presidenti, Richard Nixon në vitin 1969.
Leavitt ka shërbyer si ndihmës sekretare shtypi gjatë mandatit të parë të Trumpit, nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Pas humbjes së Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020, ajo u bë drejtoreshë e komunikimit për ligjvënësen Elise Stefanik, të cilën Trump e ka emëruar ambasadore në Kombet e Bashkuara. /Telegrafi/