Site icon Telegrafi

A do të jetë 2017-ta vit i transformimit të FSK-së në ushtri

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) vazhdon pritjen e ndryshimit të statusit të saj. Ndonëse ka mundur të jetë qysh moti, Forcë e Armatosur, për shkak të politikës ajo vazhdon të mos transformohet ndonëse për këtë është dhënë drita e gjelbër edhe nga ndërkombëtarët.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama ka deklaruar për Indeksonline se transformimi i FSK-së nuk do të bëhet për një vit, por ngritja e kapaciteteve të FAK-së, do të bëhet në mënyrë graduale në tre faza deri te arritja e kapaciteteve operacionale.

“I gjithë ky proces do të bëhet në një periudhë 10 vjeçare. Përveç planifikimit të procesit, në së bashku me partnerët, gjithashtu kam planifikuar edhe buxhetin e nevojshëm për ngritjen e kapaciteteve të planifikuara”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa në anën tjetër kreu i MFSK-së, Haki Demolli është thellësisht i bindur se edhe gjatë vitit 2017, MFSK do të vazhdojë me punën dhe ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë, në mënyrë që ajo të jetë e gatshme në çdo moment për transformim në Forcë të Armatosur.

“Po ashtu edhe Qeveria e Kosovës, do të angazhohet maksimalisht që të përafrojë qëndrimet politike, me deputetët dhe përfaqësuesit e Listës serbe, në mënyrë që ata të votojnë për amendamentet kushtetuese që hapin rrugën për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës”, ka deklaruar Demolli.

Demolli shpreson se ky do të jetë viti i transformimit të forcës.

“Andaj falë kësaj pune dhe angazhimi politik të Qeverisë së Kosovës dhe MFSK, besojmë dhe shpresojmë që përfundimisht viti 2017, do të jetë viti kur Kosova do të bëhet me Forca të Armatosura, duke e realizuar kështu një dëshirë të kamotshme jo vetëm të MFSK-së, pjesëtareve të FSK-së por edhe të të gjithë kosovarëve”, ka përfunduar ministri Demolli.

Exit mobile version