Cara Delevingne foli për seksualitetin e saj në një kopertinë për revistën ‘Variety’
Modelja pranoi se është pansekuale dhe se mendon se kështu do të jetë gjithmonë. Ajo tregoi si është të jesh një njeri panseksual në Hollywood dhe në një familje me mentalitet të mbyllur.
“Mendoj se do të jem gjithmonë panseksuale. Sido që dikush ta përcaktojë veten, ‘ai’ apo ‘ajo’ – unë dashuroj personin – kjo është e gjitha. Unë tërhiqem nga personi”, -është shprehur modelja.
Cara rrëfeu se është rritur në një familje të rreptë angleze dhe për një kohë të gjatë ajo nuk donte ta pranonte njeriun që ishte.
“Nuk doja ta pranoja kush isha. Nuk doja ta mërzisja familjen time. Isha thellësisht e depresuar dhe e palumtur. Kur nuk e pranon veten dhe nuk e do veten, ti thjesht nuk je aty”, -tha ajo.
Cara pranoi se ishte e tmerruar nëse familja do ta merrte vesh dhe mendonte se do ta përzinin nga shtëpia. Por nuk ndodhi kështu. Ata e mbështetën dhe e pranuan.
Rikujtojmë që pak javë më parë, Cara i dha fund lidhjes me të dashurën e saj prej disa vitesh, Ashley Benson.
Aktorja rrëfeu se është panseksuale, por çfarë është saktësisht panseksualiteti?
Panseksualiteti (ose omniseksualiteti) është tërheqja seksuale, romantike apo emocionale, pavarësisht seksit, orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Panseksual është një njeri që tërhiqet nga kushdo dhe seksi apo gjinia nuk janë faktor përcaktues në tërheqjen e tyre romantike apo seksuale ndaj të tjerëve.
Panseksualiteti ndryshon nga biseksualiteti, pasi njerëzit panseksualë janë të hapur ndaj marrëdhënieve me transeksualët apo me njerëz që nuk janë përcaktuar nëse janë femra apo meshkuj.
Pra panseksualiteti është më gjithëpërfshirës se biseksualiteti. /Telegrafi/