Telegrafi

Të jesh a po të mos jesh në CEFTA

Me qëllim të mbrojtjes së ekonomisë vendore dhe prodhuesve kosovar, Instituti GAP u ka rekomanduar Institucioneve që të marrin masa provizore ribalancuese, të vendosen kuota për produkte të caktuara që importohen.

“Shfrytëzimin e të gjitha mjeteve ligjore brenda CEFTA-s për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë dhe Bosnjën dhe, në rast të mos gjetjes së një alternative, Kosova të largohet nga CEFTA dhe të lidh marrëveshje bilaterale me shtetet veç e veç”, thekson GAP-i.

Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik 2007, ndërsa më 2008 institucionet kosovare ndërruan edhe vulat doganore, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. Mirëpo ky akt i vendosjes së simboleve të reja, nuk u përcoll edhe me veprime tjera konkrete, siç është insistimi për tu përfaqësuar si shtet i pavarur dhe jo përmes UNMIK-ut. Ndërrimi i vulave shërbeu si shkak për Serbinë dhe Bosnjë për të bllokuar eksportin e mallrave kosovare në këto dy shtete apo për të përdorur territorin e tyre për mallrat transit.

“Kjo bllokadë e vënë për produktet kosovare që në vitin 2008 uli nivelin e eksportit për 9.8 për qind. Kompanitë kosovare të përballura me një bllokadë të tillë u detyruan t’i shfrytëzonin vendet e treta për t’u integruar në tregun rajonal”.

Një nga arsyet se pse investitorët e huaj nuk po e zgjedhin Kosovën si vend për të
investuar, sipas GAP-it është për shkak se nga Kosova e ka të vështirë të eksportojnë produktet e tyre në vendet anëtare të CEFTA-s.

Megjithatë këto rrugë alternative bartin kosto shtesë për bizneset vendore. Bllokada e Serbisë dhe Bosnjës gjithashtu dekurajon investitorët e huaj në Kosovë.

“Deficiti tregtar i Kosovës mbetet i lartë dhe ky deficit nuk është zbutur pas hyrjes së Kosovës në CEFTA, përkundrazi ai është rritur. Ky deficit po arrin vlerën e dy miliardë eurove. Përkundër ankesave të institucioneve vendore, si dhe letrave të dërguara nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm se ndërrimi i vulave nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, Serbia dhe Bosnja vazhdojnë të bllokojnë mallrat kosovare, gjersa në të njëjtën kohë ato eksportojnë të papenguara mallrat e tyre në Kosovë”. /Telegrafi/