Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi, dje ka pritur një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga deputetë që janë anëtarë të Komisionit për tregëti dhe ekonomi, Fatmir Toçi, Artan Gaçe dhe Arben Çuko, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gjatë takimit, njofton Ministria e Ekonomisë, u konkludua se bashkëpunimi ekonomik por edhe politik mes RM-së dhe RSH-së është i shkëlqyer, ndërsa u diskutuan mënyrat e avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve.
Ministri Kuçi informoi se mes dy vendeve janë duke u realizuar apo janë në plan për realizimin e sërë projekteve infrastrukturore dhe energjetike, si janë ndërtimi i autostradës së re nga Kërçova në Ohër, një investim prej 374 milionë eurosh, që është duke u realizuar me intensitet të madh, ndërtimi i linjës hekurudhore në Korridorin 8 me Shqipërinë, një linjë krejtësisht e re mes Kërçovës deri në kufirin shqiptar që parasheh të lidhet me qytezën e Linit në Shqipëri me një gjatësi prej rreth 63 km, zhvillim i sistemeve të gazpërçuesve të dy vendeve si dhe projekti largpërçuesi interkonektiv 400 kw Manastir-Elbasan. /Telegrafi/