Telegrafi

Të hyrat nga tatimi në pronë shënojnë rekord në muajin korrik

“Gjatë kësaj periudhe janë grumbulluar mbi 1.8 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 është një rritje prej 46%”.

Bazuar në njoftimin zyrtar të MEF-it, gjithsej për vitin 2008 janë grumbulluar 44% e shumës së faturuar, ndërkaq kanë mbetur edhe pesë muaj deri në fund të vitit.

"Rezultati i lartpërmendur tejkalon projeksionet e bëra për të hyrat nga tatimi në pronë prej 10 milionë eurosh gjatë këtij vitit. Ruajtja e trendit të shënuar dy muajt e fundit, do të rrisë të hyrat totale nga tatimi në pronë, për këtë vit në 13 milionë euro, me realizim 75% deri 80% të shumës së faturuar”.

Ministri i MEF-it, Ahmet Shala ka deklaruar se të hyrat nga tatimi në pronë janë thelbësore , të cilat ju sigurojnë komunave të Kosovës autonomi fiskale.

“Shkalla e inkasimit në muajin korrik tregon një punë të suksesshme të komunave të Kosovës në bashkëpunim me qytetarët e tyre. Të hyrat nga tatimi në pronë përdoren për të investuar në projekte kapitale në nivel të komunave siç janë ndërtimi i rrugëve, renovimet e shkollave, spitaleve, parqeve dhe në përgjithësi përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shala.