Nuk ka hajgare me kompaninë Apple! Ajo sërish ka tejkaluar parashikimet e analistëve dhe ka publikuar rezultate rekorde të afarizmit të cilat në njëfarë mënyrë kanë anuluar efektin negativ të shkaktuar nga paralajmërimi i tërheqjes së Steve Jobs për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Të hyrat e përgjithshme të kompanisë në tremujorin e parë fiskal janë rritur në 26.74 miliardë dollarë, që është për 71 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më herët. Në të njëjtën kohë, fitimi i pastër ka qenë 6 miliardë dollarë, respektivisht 78 për qind më i madh sesa në tremujorin e parë të vitit 2010. Pritjet e analistëve kanë qenë se Apple do të realizojë të hyra prej 24.38 miliardë dollarësh me fitim prej rreth 5 miliardë dollarësh.
Në Apple theksojnë se kanë shitur 4.13 kompjuterë Mac gjatë tremujorit, që është për 23 për qind më tepër sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Dërgesat e iPhone janë rritur për 86 për qind, në 16.24 milionë njësi, e dërgesat e iPod kanë rënë për 7 për qind, në 19.45 milionë njësi. Janë shitur edhe 7.33 milionë iPad.
Në njëjtën kohë, theksohet se aktualisht kompania ka mbi 60 miliardë dollarë në llogaritë e saja bankare. /Telegrafi/