Çështja e palestrës sportive të Rahovecit po bëhet gjithnjë e më problematike me kalimin e kohës.
Ishte ministri i kulturës, rinisë dhe sportit, Kujtim Shala, ai që u takua kohë më parë me kryetarin e Rahovecit, Idriz Vehapi, në Rahovec, ku u konfirmua se kjo ministri ndau 330 mijë euro për fazën finale të përfundimit të projektit për palestrën.
Mirëpo, mediat lokale në Rahovec mësojnë se kanë ndodhur ndryshime jashtëzakonisht negative për palestrën e Rahovecit.
200 mijë euro nga 330 mijë të parapara të ndahen për fazën finale të projektit, janë çuar në projekte tjera të ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, drejtuar nga Kujtim Shala, për projekte në bastionet e LDK-së në vise tjera të Kosovës, duke lënë vetëm 130 mijë euro për fazën finale të projektit.
Kjo së pari garanton që projekti sërish do të vonohet dhe nuk do të përfundohet në kohë, e më e keqja cilësia e punimeve do të jetë diskutabile për shumën e parave në fjalë.
Gjithë këtë ndryshim të kolegut të tij nga e njëjta parti e lejoi Avdullah Hoti, ministër i Financave, i cili edhe aprovoi kërkesën e MKRS-së për shpërndarjen e këtyre mjeteve, ani pse Hoti është kryetar i degës së LDK-së në Rahovec dhe e di vitalitetin dhe vonesën për palestër, gjithnjë Rahoveci24, medium lokal.
Kështu vetëm sa po vazhdon maskarada për palestrën e Rahovecit, e cila filloi ndërtimet 10 vite më parë.
KB Rahoveci është i vetmi klub pa palestër në Superligë edhe pse ka 10 vjet që ka nisur ndërtimi i saj.