Mbi 300 mijë nxënësve në Kosovë po iu mohohet e drejta për shkollim, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës vendosi për grevë në arsim.
Tash kur kanë kaluar 24 ditë nga fillimi i grevës, disa shkolla kanë filluar t’i rikthehen procesit mësimor.
Në Gjakovë janë pesë shkolla të cilat kanë marrë vendim që ta ndërpresin grevën, ndërsa në Podujevë, sipas Drejtorisë së Arsimit, gjysma e shkollave i janë rikthyer procesit mësimor.
Numri i nxënësve që do t’i kthehen bankave shkollore pritet të rritet nga e hëna e 19 shtatorit.
Kështu bëri të ditur kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, në një prononcim për Telegrafin.
Ai tha se dëmet që janë shkaktuar te fëmijët dhe prindërit nga kjo grevë janë të mëdha dhe pengojnë kthimin në normalitet për një periudhë të gjatë.
“Ne po marrin informacione se shumë shkolla pritet të fillojnë mësimin javën që vjen dhe kjo na gëzon. Mësimdhënësit duhet ta pranojnë që dëmtimi i mëtejshëm i fëmijëve nuk zgjidh asgjë dhe krijon situatë shumë të rënduar psikike dhe emocionale tek prindërit e fëmijët, pasoja të cilat do të pengojnë kthimin në normalitet për një kohë të gjatë”, u shpreh Demi.
Sipas tij, sa më shumë zgjatë greva aq më shumë zhvlerësohet institucioni i shkollës, dhe “nga kjo nuk fitojmë asnjë”.
E drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, për Telegrafin deklaroi se rikthimi në proces mësimor është sinjal i mirë i një vetëdijesimi të rritur të mësimdhënësve që mjeti sindikal i ndërprerjes së procesit mësimor nuk është racional.
“Vendimmarrës për çdo veprim sindikal duhet të jenë mësimdhënësit, jo kryesia, pra, mësimdhënës të pandikuar dhe shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e mësimdhënies. Rikthimi në proces mësimor është sinjal i mirë i një vetëdijesimi të rritur të mësimdhënësve që mjeti sindikal i ndërprerjes së procesit mësimor nuk është racional”, u shpreh Qehaja.
Në fund, ai tha se shpreson që arritja e qëllimeve sindikale të arrihet përmes reagimeve të tjera pa cenuar nxënësit.
“Mësimdhënësit tanë meritojnë pagë të dinjitetshme”.
Kërkesa kryesore e SBASHK-ut drejtuar Qeverisë së Kosovës është 100 euro shtesë për të gjithë punëtorët e arsimit deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Por, kjo kërkesë nuk ka marrë mbështetje nga ekzekutivi.
Përfaqësuesit e Qeverisë dhe ata të sindikatës disa herë janë takuar, por nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka prezantuar një pako për përballje me inflacionin, përmes së cilës të gjithë punëtorëve në sektorin publik do t’u ndahen nga 50 euro shtesë për tre muaj. Por, SBASHK-u po vazhdon të këmbëngul në kërkesën për 100 euro.
Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme të enjten ka publikuar Projektligjin për Paga, për të cilën ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, kishte thënë se nuk ka marrë asnjë koment nga SBASHK-u.
Lidhur me këtë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për Telegrafin ka deklaruar se nuk mund të jap ndonjë koment pasi nuk është i fushës së ekonomisë.
“Jo nuk e kam lexuar, pasi s’jam ekspert i ekonomisë. S’jam ai që jap unë komente për ligjin. Janë ekipet që punojnë dhe janë profesionistë, të cilët do të dalin me një vlerësim që do ta publikojmë”, ka thënë ai. /Telegrafi/