Të hënën ose të martën e ardhshme do të thirret seanca e jashtëzakonshme për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes” Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Kjo seancë pritet të karakterizohet me akuza të ndërsjella ndërmjet pushtetit dhe opozitës
Sipas mbikëqyrësve të punës së Kuvendit, kjo seancë pritet të kalojë me tensione për shkak të akuzave të ndërsjella në mes të pushtetit dhe opozitës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërsa, opozitarët thonë se do t’i paraqesin të gjitha shkeljet që kanë ndodhur dhe se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të thirret seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për rastin e Deharit.
Veseli ka thënë se kjo seancë është dashur të mbahet më datën 14, por meqë rreth 20 deputetë janë jashtë vendit seanca do të thirret të hënën ose të martën.
“Sipas të gjitha gjasave do të kemi seancë më datën 19, kur do të kemi edhe kthimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët aktualisht janë nëpër vizita zyrtare. Atëherë do të bisedojmë edhe me grupet parlamentare, do të iniciohet nga Grupi Parlamentar i PDK-së, do të kërkohet të nënshkruhet nga të gjithë deputetët që janë të interesuar për datën 19 apo 20. Por të jeni të sigurt se javën tjetër seanca do të jetë”, është shprehur Veseli. /Zëri/