Telegrafi

Të hënën në ‘Reporting House’, diskutim me fotografin Goran Tomasheviq, fitues i çmimit ‘Pulitzer’

“Reporting House” do të mbajë të hënën, më 23.09.2024, një diskutim me fotografin e njohur serb, Goran Tomasheviq, fitues i çmimeve të ndryshme në fotografi.

Diskutimi me fotografin Tomasheviq do të mbahet nga ora 10:00, në ish-Shtëpinë e Mallrave “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Goran Tomasheviq, fotograf serb, punoi për agjencinë “Reuters” gjersa ishte duke mbuluar luftën e Kosovës në vitet 90-ta dhe që nga viti 2002 punon për “Globe and the Mail”.

Përmes një komunikate për publikun, “Reporting House” ka bërë të ditur se gjatë bombardimit tre mujor të NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999, Tomasheviq ishte fotografi i vetëm që u lejua të qëndrojë në Kosovë, duke punuar për shtypin ndërkombëtar.

“Ai fotografoi ngjarje përgjatë gjithë luftës në Kosovë. Duke e ditur këtë, ‘Reporting House’ ka arritur të sigurojë 40 fotografi nga koleksioni i Tomasheviq duke përfshirë kështu edhe fotografi të rëndësishme nga Masakra e Burgut të Dubravës dhe bombardimit të NATO-s në këtë burg në vitin 1999”- thuhet në komunikatë, përcjellë kallxo.com.