Siç raportojnë nga AIM, sipas ministrit alternativ për Punë të Jashtme të Greqisë Georgios Katrougalos, Greqia me notë verbale Shkupin do ta njoftojë se ka ratifikuar marrëveshjen e Prespës dhe protokollin për anëtarësim në NATO.
Georgios Katrougalos, në një intervistë për agjencinë “ANA-MPA”, i sqaron hapat e ardhshëm, që kur Kuvendi grek të premten dha dritë të gjelbër për protokollin për anëtarësim në NATO, kurse më 25 janar e ratifikoi marrëveshjen e Prespës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Të hënën do të dërgohet notë verbale ku do të njoftojmë për ratifikim e marrëveshjes dhe në vazhdim Maqedonia e Veriut do t’i njoftojnë Kombet e Bashkuara, por edhe të gjitha vendet anëtare që e kanë pranuar nën emrin kushtetues, kështu që nga tani pranimi do të jetë me emrin e ri kushtetues. Dhe natyrisht, nga e hëna nisin obligimet e saja, emrat e rrugëve, objekteve, dokumenteve që kanë emrin e vjetër”, sqaron Katrougalos.
Shefi alternativ i diplomacisë greke për “ANA-MPA”, në pyetjen nëse në javën e ardhshme vendi fqinj do ta përdor emrin e ri, ai përgjigjet pozitivisht dhe shton se marrëveshja e Prespës është e qartë në këtë drejtim./Telegrafi/