Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli thotë se PDK-ja është në koalicion me LDK-në, por në princip janë të hapur ndaj të gjitha formulave të bashkëqeverisjes, siç thotë ai, që dëshmojnë se janë në shërbim të konsolidimit dhe ecjes përpara të Republikës së Kosovës.
Kadri Veseli nuk e hedh poshtë mundësinë që në të ardhmen partner i koalicionit me PDK-në të jetë partia e Ramush Haradinajt (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), ndonëse, sipas tij, me LDK-në janë në koalicion deri në qershor 2018, shkruan “Zëri”.
“Në princip, jemi të hapur ndaj të gjitha formulave të bashkëqeverisjes, të cilat dëshmojnë se janë në shërbim të konsolidimit dhe ecjes përpara të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Veseli gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se sistemi politik në Kosovë e bën të pashmangshëm bashkëpunimin ndërpartiak dhe kjo është pozitive për demokracinë e re, sepse, siç thotë ai, bashkëpunimi, kompromisi, ndarja e përgjegjësive, qoftë në një koalicion, qoftë në role të ndara pozitë-opozitë, janë vetë fryma e demokracisë.
Ai thotë se do t’i ftojë liderët e partive opozitare në dialog, sepse, sipas tij, vetëm dialogu është mjeti me të cilin do të dilet nga kriza.
Në këtë intervistë për “Zërin”, kreu i partisë më të madhe në vend, flet edhe për reformimin që do ta bëjë në PDK, për ish-Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) të cilin e ka drejtuar vite më parë, për luftimin e ekstremizmit fetar dhe për raportet me partnerin aktual të koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës. /Zëri/