Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, paralajmërojnë ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj, kur ndezja e zjarreve bëhet me 30 prill në mbrëmje.
“Ligji për mbrojtjen e ajrit gjegjesisht Udhëzimi Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave. Me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë”, thuhet në njoftimn e MMPH, transmeton Telegrafi.
Më tej në njoftim tuhet se ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.
“Dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore”.
Sipas MMPH, ndezja e zjarreve të tilla, veçanërisht gjatë ditës së nesërme, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj.
“Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar fëmijë, ose janë djegur sipërfaqe të tëra me pyje. Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë”.
Ministria e Mjedisit bënë me dije se gjatë ditës së sotme janë angazhuar inspektorët e saj, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet sipas ligjeve ne fuqi, thuhet në njoftim. /Telegrafi/