Site icon Telegrafi

Të gjithë sytë kah Majlinda

Bashkë me të, të enjten do të kërkojnë medalje edhe Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri në 66 kg. “Synim e kam medaljen e artë, por me çdo medalje do të isha e kënaqur, pasi bëhet fjalë për Evropian. Jam në formë të mirë, jam përgatitur mirë. Të gjithë vijnë për të mposhtur kampionen e botës, por ky fakt vetëm më motivon më shumë. I kam mposhtur të gjitha kur jam në ditë të mirë, të gjitha janë të përshtatshme”, ka thënë ditë më parë Majlinda Kelmendi për gazetën.

Shorti për Evropian është hedhur të mërkurën. Kampionia e botës, Kelmendi, raundin e parë e ka kaluar pa luftë, ndërsa në sfidën e dytë do ta presë fituesen e duelit mes italianes Odette Giuffrida dhe rumunes Larisa Alexandra Florian. Pikërisht Giuffrida në Evropianin e kaluar e eliminoi befasisht Kelmendin në çerekfinale. Kelmendi më pas fitoi medaljen e bronztë në Evropian nëpërmjet “repechaget” (luftërave përmirësuese), ndërsa pas kësaj fitoi të artën në Botërorin në Rio de Janeiro. Humbja në evropianin e kaluar nga Odette Giuffrida është e fundit e Kelmendit, ndërkohë që pas saj ajo është futur në një seri prej 20 fitoreve. Këtu dy xhudiste, italianen Giuffrida dhe rumunen Florian, Majlinda i mposhti në fund të muajit të kaluar në turneun “Grand Prix” të mbajtur në Samsun të Turqisë. Giuffridan e mposhti në finale, ndërsa Florianin në rrethin e parë.

Në grupin e Majlindës në Evropian janë edhe gjermania Romy Tarangul dhe armenia Zhanna Stankevich. Edhe gjermanen Tarangul, Majlinda e mposhti në Samsun, në gjysmëfinale. Media dhe specialistë të xhudos e kanë vlerësuar Majlindën si favoriten më të madhe për të rrëmbyer të artën. Ndërkohë Distria Krasniqi në rrethin e parë do të përballet me turken Sumeyye Akkus dhe në rast të fitores në duelin e radhës e pret fituesen e përballjes mes ruses Nataliya Kondratyeva dhe ukrainases Maryna Cherniak.

Derisa Akil Gjakova në rrethin e parë do të ndeshet me sllovenin Andraz Jereb. Në rast të fitores ai e pret fituesin e duelit mes ukrainasit Georgii Zantaraia dhe turkut Sinan Sandal. Kosova në Evropian paraqitet me flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Të tre xhudistët kosovarë do të garojnë të enjten. /Koha/Telegrafi/ 

Exit mobile version