Site icon Telegrafi

Të gjithë ne sot jetojmë në botën e Vladimir Putinit!

Nga: Ivan Krastev / The New York Times
Përktheu: Telegrafi.com

Gazetarët që shkruanin për çështjet ndërkombëtare në vitet 1920 dhe 1930, i referoheshin asaj kohe si paslufta. I kanë parë ngjarjet përmes prizmit të Luftës së Madhe që shkatërroi Evropën disa vjet më parë. Historianët që shkruajnë sot u referohen të njëjtave vite si periudha ndërmjet luftërave, për arsyen e thjeshtë se e analizojnë atë që ndodhi gjatë atyre viteve si pjesë e asaj që çoi te Lufta e Dytë Botërore që ishte edhe më shkatërruese. Sikur ata gazetarë – që shkruanin në Evropën e viteve 1930 – të kishin aftësinë e të kuptuarit të gjërave para se të ndodhin.

Të gjithë duhet ta kemi këtë aftësi sot. Agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë është një prej atyre momenteve që na shtyn ta riinterpretojmë kohën tonë. Ajo që ne e quajtëm paqja 30-vjeçare – që erdhi pas Luftës së Ftohtë (me prirjet për t’u harruar, me apo pa vetëdije, luftërat në ish-Jugosllavi) – tashmë ka mbaruar. Në përgjithësi, historianët e së ardhmes do t’i shikojnë këto dekadat e fundit ashtu siç e shikojnë periudhën ndërmjet dy luftërave: si mundësi e humbur.

Sa më shpejt ta pranojmë këtë të gjithë, aq më mirë mund të përgatitemi për atë që vjen më pas. Fatkeqësisht, është një lloj i mohimit egoist që i përshkon kryeqytetet perëndimore e që na pengon ta shohim atë që duket. Lutjet e zjarrta për ta mbrojtur rendin evropian të pasluftës së Ftohtë, nuk kanë asnjë kuptim, sepse kjo epokë ka mbaruar.

Në vazhdën e pushtimit të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, Angela Merkel – atëherë kancelare e Gjermanisë – bisedoi me presidentin Vladimir Putin të Rusisë dhe i raportoi presidentit Barack Obama se, sipas saj, z. Putin e kishte humbur kontaktin me realitetin. Ai, tha ajo, jetonte në “një botë tjetër”. Sot të gjithë ne po jetojmë në këtë botë. Në këtë botë ku, duke e cituar Tukididin, “të fortët bëjnë atë që munden e të dobëtit vuajnë atë që duhet”.

Si arritëm këtu? Së pari, duhet të kuptojmë se kjo nuk është lufta e Rusisë. Është lufta e z. Putin. Ai vjen nga një brez i caktuar i zyrtarëve rusë të sigurisë, të cilët nuk arritën kurrë të pajtohen me humbjen e Moskës në Luftën e Ftohtë. Para syve të tyre, Bashkimi Sovjetik u zhduk nga harta – pa humbje ushtarake apo pa pushtim të huaj. Për ta, sulmi aktual ndaj Ukrainës është pikë kthese – logjike dhe e domosdoshme. Tabela perandorake mund të rivendoset edhe një herë. Këta njerëz nuk janë të interesuar ta shkruajnë të ardhmen; duan ta rishkruajnë të shkuarën.

Teksa i shikoja raketat ruse që sulmonin Kievin në një gjendje të zemërimit të pafuqishëm, papritmas kuptova se shumë rusë duhet të jenë ndjerë në të njëjtën mënyrë kur NATO-ja e bombardonte Beogradin dy dekada më parë. Pushtimi i z. Putin mund të jetë pra më shumë hakmarrje sesa strategji e madhe.

Por, është një dallim mes revizionizmit dhe revanshizmit. Revizionistët dëshirojnë ta ndërtojnë një rend ndërkombëtar, sipas dëshirës së tyre. Revanshistët janë të shtyrë nga ideja e shpagimit. Ata nuk ëndërrojnë ta ndryshojnë botën, por t’i ndërrojnë vendet me fituesit e luftës së fundit.

Nëse z. Putin ka sukses sot, Perëndimi mund ta fajësojë veç veten. Teksa opinioni publik perëndimor e hipnotizonte veten me idenë se Rusia është në rënie të madhe – një pikë karburanti me armë bërthamore, siç disave u pëlqente ta quanin – presidenti rus nisi ta realizonte strategjinë e vet. Për vite me radhë, z. Putin e ka konsoliduar sferën e tij të ndikimit mbi ish-Bashkimin Sovjetik, duke filluar me luftën e tij kundër Gjeorgjisë më 2008 dhe përmes aneksimit të Krimesë më 2014. Kohët e fundit e ka shtrënguar kontrollin e tij në Bjellorusi dhe në Azinë Qendrore. Tani e ka ndërmarrë hapin dramatik të radhës.

Presidenti Biden të enjten ka thënë se në kundërpërgjigje të pushtimit të Ukrainës, synon ta bëjë z. Putin “një të hedhur nga skena ndërkombëtare”. Ky mund të jetë dënim i përshtatshëm për këtë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por gjërat mund të mos funksionojnë në këtë mënyrë. Ka një rrezik real që në vend të kësaj Perëndimi është ai që mund ta gjejë veten më të izoluar.

Gjatë dy muajve të fundit, aleanca Moskë-Pekin ka kaluar nga hipoteza në realitet, falë qëllimit të përbashkët për ta sfiduar dominimin amerikan. Ndërkohë që elitat kineze nuk janë të entuziazmuara për pushtimin e pamatur të Ukrainës nga Rusia (kinezët e mbrojnë përkushtimin e tyre për mos shkeljen e sovranitetit të shtetit), nuk ka dyshim se ata do të jenë në anën e Moskës. Shikoni sesi Pekini refuzoi ta përshkruante zyrtarisht luftën e z. Putin si pushtim. Presidenti Xi Jinping mund të jetë përfituesi më i madh i krizës aktuale: Amerika jo vetëm që duket e dobët; por tani gjithashtu e gjen veten të zhytur në Evropë e të paaftë për t’u fokusuar në Azi.

Shumë vende e shohin konfliktin midis Rusisë dhe Perëndimit si konflikt mes imperialistëve të vjetër që vështirë se preken nga kjo. Një shqetësim më i madh dhe më direkt është mënyra se si sanksionet e vendosura nga Perëndimi do t’i rrisin çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Perëndimi mund të fitojë ndaj skeptikëve të përpjekjeve për ta luftuar z. Putin vetëm nëse arrin t’ju tregojë atyre jashtë Evropës se ajo që është në rrezik në Kiev nuk është fati i një regjimi properëndimor, por sovraniteti i një shteti postimperial të porsalindur. Disa tashmë e kuptojnë këtë ide: ambasadori i Kenisë në Kombet e Bashkuara kuptoi atë që ndodhte në Ukrainë kur tha: “Situata i bën jehonë historisë sonë. Kenia dhe pothuajse çdo vend afrikan u lind nga fundi i perandorisë”.

Çfarë do të thotë fundi i paqes për Evropën? Pasojat do të jenë të tmerrshme. Lufta në Ukrainë e ka potencialin e frikshëm për t’i ndezur konfliktet e ngrira në periferinë e kontinentit, përfshirë të tjerat në hapësirën post-sovjetike dhe në Ballkanin Perëndimor. Liderët e Republika Sërpskas mund ta lexojnë këtë si fitore të z. Putin në Ukrainë, si sinjal për ta shpërbërë Bosnjën. Udhëheqësit në Bashkimin Evropian, që janë miqësorë me Rusinë, gjithashtu do të ndihen të guximshëm nga fitorja e z. Putin. Pushtimi i Ukrainës ka bashkuar Evropën, por do të dëmtojë vetëbesimin e saj.

Por, kryesorja, ngjarjet e javës së kaluar kërkojnë një rimendim radikal të projektit evropian. Për 30 vjetët e fundit, evropianët e bindnin veten se nuk ia vlen barra qiranë me forcën ushtarake dhe se epërsia ushtarake amerikane ishte e mjaftueshme për t’i larguar vendet tjera nga nxitja e luftës. Shpenzimet për mbrojtjen u ulën. Ajo që kishte rëndësi, mendësia që merrej e jepej, ishte fuqia ekonomike dhe fuqia e butë.

Tani e dimë se sanksionet nuk mund t’i ndalojnë tanket. Bindja entuziaste e Evropës se ndërvarësia ekonomike është garancia më e mirë për paqen, rezultoi e gabuar. Evropianët bënë gabim duke i përgjithësuar përvojat e tyre të pasluftës së Dytë Botërore te vendet si Rusia. Kapitalizmi nuk mjafton për ta zbutur autoritarizmin. Tregtia me diktatorët nuk e bën vendin tuaj më të sigurt dhe se mbajtja në banka e parave të liderëve të korruptuar nuk i civilizon ata; ju korruptoheni. Ndërsa, përqafimi evropian i hidrokarbureve ruse vetëm se e bëri kontinentin më të pasigurt e më të prekshëm.

Efekti më destabilizues i pushtimit që bëri Rusia mund të jetë fakti se shumëkush në mbarë botën po pajtohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në Forumin e Sigurisë në Munih, këtë muaj, ai deklaroi se Kievi ka bërë gabim kur ka braktisur armët bërthamore që i trashëgoi nga Bashkimi Sovjetik. Mosgatishmëria e Shteteve të Bashkuara për ta mbrojtur një vend mik si Ukraina, mund t’i nxisë të paktën disa aleatë amerikanë të besojnë se armët bërthamore janë mënyra e vetme për ta garantuar sovranitetin e tyre. Nuk është e vështirë të imagjinohet se fqinjët e Kinës po ashtu mendojnë në këtë mënyrë. Fakti se shumica e koreanojugorëve duan që vendi i tyre të marrë armë bërthamore, tregon se lëvizjet e z. Putin në Ukrainë kanë vënë në rrezik regjimin botëror të preventimit të armëve bërthamore.

Në vitin 1993, poeti dhe eseisti i madh gjerman, Hans Magnus Enzensberger, parashikoi se Lufta e Ftohtë do të pasohet nga një epokë kaosi, dhune dhe konflikti. Duke reflektuar mbi atë që vëzhgoi në ish-Jugosllavi dhe nga trazirat urbane në Shtetet e Bashkuara, ka parë një botë të definuar nga “paaftësia për ta bërë dallimin midis shkatërrimit dhe vetëshkatërrimit”. Në këtë botë “nuk ka më nevojë të legjitimoni veprimet tuaja. Dhuna e ka çliruar veten nga ideologjia”.

Z. Enzensberger kishte të drejtë. Por, i hershëm! /Telegrafi/

Autori është kryetar i Qendrës për Strategji Liberale, bashkëpunëtor i përhershëm në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, dhe kolumnist i ditores The New York Times.

 

 

 

Exit mobile version