Telegrafi

“Të gjithë mund të kishim vdekur”, aeroplani i Gambisë detyrohet të bëjë ulje urgjente pasi u dështoi furnizimi me oksigjen

Aeroplani që transportonte skuadrën e Kombëtares së Gambisë në Kupën e Kombeve të Afrikës u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi furnizimi me oksigjen dështoi.

Skuadra e Gambisë për Kupën e Kombeve të Afrikës thuhet se ishte disa minuta nga fatkeqësia gjatë fluturimit të tyre për në Bregun e Fildishtë.

Lojtarët dhe stafi i Gambisë ishin në bordin e një fluturimi nga kryeqyteti Banjul ndërsa filluan udhëtimin e tyre drejt vendit pritës në Bregun e Fildishtë për turneun që do të fillojë këtë fundjavë.

Megjithatë, u raportua se një numër lojtarësh patën marramendje pasi hipën në aeroplan.

Sipas Daily Mail, piloti u detyrua të kthehej në aeroportin e Banjul më pak se 10 minuta pas ngritjes pasi furnizimi me oksigjen po mbaronte.

Në bordin e avionit ishte ish-lojtari i Manchester United, Saidy Janko, i cili shkroi në rrjetet sociale për të treguar çfarë u ndodhi.

“E papranueshme. Pasi udhëtuam gjithsej 32 orë nga Arabia Saudite në Gambia me pushime të gjata në Stamboll dhe Casablanca, ne duhej të fluturonim sot nga Gambia në Bregun e Fildishtë për AFCON”.

“Sapo hymë në aeroplanin e vogël që ishte marrë me qira për të fluturuar, vumë re vapën e pamasë që na pikonte djersë. Na u sigurua nga ekuipazhi se klimatizimi do të fillonte sapo të ishim në qiell”.

“Nxehtësia çnjerëzore e përzier me mungesën e pranishme të oksigjenit la shumë njerëz me dhimbje koke të forta dhe marramendje ekstreme. Për më tepër, njerëzit filluan të binin në gjumë të thellë disa minuta pasi hynë në avion”, ka shkruar Janko.

Ndërkohë, trajneri i Gambisë, Tom Saintfiet tha se të gjithë mund të kishin vdekur.

“Ne të gjithë mund të kishim vdekur. Të gjithëve na zuri gjumi shpejt. Edhe mua. Unë kisha ëndrra të shkurtra për mënyrën se si u bë jeta ime”.

“Për pak u helmuam me monoksid karboni. Edhe gjysmë ore fluturim dhe të gjithë do të kishim vdekur”, ka thënë Saintfiet për Nieuwsblad. /Telegrafi/