Site icon Telegrafi

Të gjithë e njihnin si malazez, por Edvin Kuç tregon se si mësoi që ka prejardhjen nga Kosova pasi erdhi në Suharekë

Edvin Kuç është njëri nga mesfushorët më të mirë në Superligën e Kosovës në vitet e fundit.

Ai për më shumë se dy vite është pjesë e skuadrës kosovare, Ballkani nga Suhareka ku po luan me mjaftë sukses.

Në një intervistë për Telegrafin, ai fillimisht ka zbuluar se si është pritur në Suharekë, pasi më parë nuk ka pasur njohur për futbollin e Kosovës dhe vendin tonë.

“Janë bërë dy vite prej se kam ardhur te Ballkani. Të jem i sinqertë nuk kam ditur aq shumë për Superligën e Kosovës. Nuk e kam ndjekur. Kur më kontaktuan krerët e klubit për herë të parë, isha pak skeptik. Jo i frikësuar, por thjesht skeptik, pasi që nuk dija asgjë për ligën këtu”.

“Kur më kontaktoi presidenti i klubit Arsim Kabashi, ai erdhi në Rozhajë dhe ne biseduam. Më tha edhe pse nuk dija asgjë për klubin, eja dhe vizito Suharekën”.

“Pas dy apo tre ditësh, erdha këtu me babanë tim dhe nënshkrova kontratë me klubin. E pashë që presidenti ka plane të mëdha për Ballkanin dhe kështu nënshkruajta me ta. Jam shumë i lumtur për këtë gjë”, deklaroi Kuç për Telegrafin.

27-vjeçari ka prejardhje nga Kosova, dhe ai këtë e zbuloi pasi u bë anëtarë i Ballkanit, kur kuptoi se shumë familje kosovare kanë të njëjtin mbiemër.

“Kur erdha në Suharekë, dëgjova që shumë njerëz këtu kishin mbiemrin si unë. Jo Kuç, por Kuçi. Mendoj se është mbiemër i njëjtë. Nuk di shumë gjëra rreth kësaj, por pasi që Rozhaja është afër Pejës, është e kuptueshme që unë kam gjak shqiptari”, u shpreh mesfushori shqiptar, por që ka lindur e është rritur në Mal të Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version