E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar projektligje, rregullore dhe vendime nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Para kabinetit qeveritar, drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, raportoi në detaje për situatën më të fundit të furnizimit me energji elektrike, për arritjen e marrëveshjes me banorët e këtyre zonave, procesin e zhvendosjes së tyre si dhe për pagesën e qirasë dhe obligimeve tjera që dalin nga ky proces.
Në raportimin e tij, Gjukaj tha se falë angazhimit të Qeverisë dhe marrëveshjes me banorët e Shipitullës, konkretisht ata të lagjes Mirena, nga mesdita e djeshme ka filluar mihja e dheut. Ai tha se është duke u punuar me nga një bllok në A dhe B, ndërsa nga ora 24:00 e ditës së sotme do të aktivizohen edhe 260 megavat që shkon diku në 82 për qind e mbulimit të konsumit nga prodhimi vendor. “Besoj se më këtë dinamikë pas datës 10 janar pritet të aktivizohen të gjitha njësitë”, tha Gjukaj, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri Haradinaj lidhur me këtë raportim tha se janë momente të ndjeshme të furnizimit me energji dhe për këtë duhet angazhimi i të gjithëve. Kryeministri tha se duhet të bëhet stabilizimi i furnizimit me rrymë, pra të mos ketë ndërprerje dhe të mos ketë rritje të çmimit.
Në mbledhjen e sotem kryeministri Haradinaj kërkoi nga Këshilli Kombëtar për Siguri në Komunikacion që të mobilizohen dhe të takohen me urgjencë, për të diskutuar rreth numrit të madh të aksidenteve në komunikacion. Me këtë rast, kryeministri apeloi te qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Poashtu u diskutua edhe për Projektligjet Prioritare që dalin nga Raporti i Progresit.
Kryeministri Haradinaj lidhur me këto projektligje të cilat dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane tha se një numër i tyre janë proceduar në Kuvend ndërsa një numër i tyre janë në proces dhe për këtë kërkoi nga Kuvendi thirrjen e një seance në të cilën do të diskutoheshin vetëm këto Projektligje.
“Duke marrë parasysh se në shkurt bëhet vlerësimi i të arriturave të Kosovës, do të ishte shumë me rëndësi që t’i kemi të përfunduara në mënyrë që të evidentohen si punë të kryera”, tha kryeministri.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë ishte informata lidhur me pozitat që mbahen me ushtrues detyre në shërbimin civil. Lidhur me këtë kryeministri Haradinaj kërkoi zbatimin e procedurave dhe plotësimin e të gjitha pozitave që udhëhiqen nga ushtrues detyre.
Qeveria diskutoi edhe për takimin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që organizohet nga EBRD. Në mbledhjen e sotme, kryeministri Haradinaj informoi për takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që organizohet nga EBRD, e që do të mbahet në Londër më 26 shkurt të vitit që vjen.
Me këtë rast, kryeministri kërkoi nga të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar që të përgatisin projekte konkrete, në mënyrë që në këtë takim Kosova të prezantohet sa më denjësisht dhe të jetë përfituese në këtë garë.
Kabineti qeveritar u informua edhe për gjendjen financiare të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” dhe mori vendim për ofrimin e ndihmës financiare për këtë kompani.
Edhe Projektligji për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës mori aprovimin e kabinetit qeveritar, i cili përcakton të drejtat, autorizimet dhe përgjegjësitë e Inspektoratit të Arsimit në Republikën e Kosovës, për të siguruar cilësinë e shërbimeve arsimore në arsimin parauniversitar dhe për të mbikëqyrur zbatimin e legjislacionit në të gjitha nivelet e arsimit.
Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore si dhe për transfere dhe rialokime të organizatave buxhetore për vitin 2017. Kryeministri me këtë rast falënderoi ministrin e Financave për punën në hartimin e buxhetit për vitin 2018, të gjithë kabinetin si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës përfshirë edhe ata të opozitës që morën pjesë në votim.
“E fillojmë vitin që vjen stabil, të qëndrueshëm dhe jam thellë i bindur që me investimet në energji edhe rritja ekonomike do të jetë më premtuese. Ky vit ka qenë vit i energjisë edhe përkundër vështirësive me prodhim dhe viti që vjen do të ishte lajm i mirë sikur të ishte vit i Trepçës, të mund të sjellim një investitorë në Trepçë, e cila do të ndryshonte hartën tonë ekonomike”, tha kryeministri.
Rregullorja mbi Kërkesat Minimale për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë të Punësuarve në Veprimtari Minerare, Sipërfaqësore Nëntokësore me Shpim si dhe Aktivitete të Caktuara Minerare, u aprovua nga kabineti qeveritar.
U miratua edhe kërkesa për ndërtimin e Obeliskut në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, në shenjë respekti dhe përkujtimi të 156 ushtarëve/ pjesëtarëve të shteteve anëtare dhe partnere të NATO-s të rënë në Kosovë pas intervenimit ushtarak, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.
Qeveria miratoi edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe organeve tjera të administratës shtetërore që mbikëqyrin këtë funksionim të këtyre organizimeve. Ministria, me këtë aprovim të rregullores, përfundon fazën e parë të konsolidimit të saj, pasi janë bërë të gjitha përgatitjet institucionale që nga 1 janari i vitit të ardhshëm Ministria të jetë plotësisht funksionale.
Në fund, kryeministri Haradinaj kërkoi nga ministrat e kabinetit qeveritar që në ndërrimin e moteve të bëjnë vizita në institucionet e tyre vartëse. Po ashtu, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar në natën e ndërrimit të moteve, në mënyrë që të evitohen incidentet e mundshme.
“Për vitin që vjen na presin shumë punë. Qeveria duhet të përgatisë një platformë për fazën finale të dialogut, dhe për këtë jemi konsultuar edhe me presidentin dhe me kryeparlamentarin. Kanë mbetur tema të bartura për vitin që vjen, përveç Trepçës është transformimi i FSK-së në Ushtri, çështja e liberalizimit të vizave si dhe demarkacioni”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar kabinetin qeveritar për punën e bërë gjatë këtij viti. /Telegrafi/