Nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të 36-të.
Në fillim të mbledhjes Kryeministri Kurti foli rreth vendimit të qeverisë për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare.
“Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Masat që i kemi ndërmarrë, vendimet që i kemi marrë janë për të gjithë pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjeri. Për incidente dhe për eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë. Nuk ka interes për destabilizim as Serbia”, tha kryeministri Kurti, duke falënderuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për punë e shkëlqyer e në veçanti të gjithë policët për profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre.
Kryeministri në fjalën e tij foli edhe për 6 mujorin e punës së Qeverisë që nga marrja e mandatit, duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë e kanë kthyer shtetin drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik, barazisë dhe mirëqenies sociale dhe progresit shoqëror.
Të gjitha vendimet e Qeverisë:
Me vendimin e parë në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektimet, i cili përcakton parimet e inspektimit, rregullat, për organizimin e organeve inspektuese në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave, rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit.
Pas shqyrtimit kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, i cili përcakton kërkesat, masat dhe procedurat për mbrojtjen ligjore të topografive të produkteve gjysmëpërçuese dhe zbatimin e të drejtave që rrjedhin nga ky ligj.
Është miratuar edhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023) në kuadër të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës (2013-2023). Ky është plani i tretë në kuadër të kësaj Strategjie në nivel vendi dhe ka për qëllim të avancojë në çdo aspekt të drejtat e personave me aftësi të kufizua deri në arritjen e një synimi final për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në të cilën personat me aftësi të kufizuar realizojnë potencialin e plotë të tyre dhe kanë të drejtën të jetojnë një jetë të dinjitetshme.
Me vendim të Qeverisë në mbledhjen e sotme është themeluar Komisioni Ekzekutiv (“Komisioni”) në qëllim të propozimit dhe hartimit të parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, në këtë përbërje të anëtarëve të përhershëm:
2.1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, kryesues;
2.2. Zëvendës Kryeministri i parë, zv. kryesues;
2.3. Ministri i Ekonomisë, anëtar;
2.4. Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar;
2.5. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; anëtar;
2.6. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar; dhe
2.7. Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu, Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 07/43 të datës 13.11.2020, përmes të cilit Flamur Kadriu caktohet zëvendësues i Kryeshefit i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky vendim është pjesë përbërëse e vendimit të Qeverisë 09/27 të datës 30.04.2020.
U miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa 1.
Po ashtu, u miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.
Pas shqyrtimit janë miratuar edhe vendimet për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë z. Besnik Bislimi për nënshkrimin e Amendamentit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa I, dhe për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.
Nga kabineti qeveritar është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e Specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 nëntor deri më 31 dhjetor të vitit 2021.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.03/49 të datës 08.12.2020 i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 18/19 të datës 14.07.2021, në të cilën pika dy e vendimit ndryshohet/plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri me datën 30.11.2021.
Pika tjetër e radhës që u miratua në mbledhjen e sotme është vendimi për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS Sh.P.K”.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria është bërë shfuqizimi i akteve sipas paragrafit 2. të vendimit të Programit për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së. Ky program ka obliguar ministritë dhe agjencitë respektive që të bëjnë shqyrtimin e legjislacionit teknik dhe jo-teknik kombëtar të pa-harmonizuar i cili mund të përmbajë “masa me efekt ekuivalent” të cilat paraqesin barriera të pajustifikueshme në tregti dhe eliminimin e këtyre barrierave përmes masave gjegjëse korrigjuese.
Me vendim të Qeverisë, siç e parasheh edhe Strategjia Kombëtare kundër trafikimit me njerëz, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Kombëtar kundër trafikimit me njerëz.
U miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vlerës së shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve në shtojcën 2. të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2015 për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit të mallrave të importuara, konform listës së çmimeve të përditësuara.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dy milionë euro (2,000,000 €) për zbatimin e vendimit të Qeverisë Nr.13/19 të datës 14/07.2021, Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Masa 1.5 trajnimi dhe punësimi në TI, si vijon:
- Një milion euro ( 1,000,000 €) për subvencionimin e bursave për studentë ndahen në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në nënprogramin Administrata Qendrore, në kategorinë e shpenzimeve subvencione dhe transfere;
- Një milion euro ( 1,000,000 €) për aftësimin e të rinjve në fushën e TI-së ndahen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në nënprogramin shërbimet e aftësimit profesional, në kategorinë e shpenzimeve subvencione dhe transfere.
Po ashtu, është miratuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës, në këtë përbërje:
- Fetah I. Podvorica,
- Mihone Kerolli Mustafa,
- Ardian B. Gojani,
- Myzafere Krasniqi-Limani,
- Ardian Morina,
- Zanfina Ademi,
- Fisnik Kurshumliju,
- Bajram Berisha,
- Hysen Bytyqi,
- Aliriza Arenliu,
- Gazmend Qorraj,
- Armend Tahirsylaj,
- Sevdan Kervan,
- Majlinda Bregasi,
- Arbnora Dushi.
Miratimin e ka marrë edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës ratifikimin e anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit, z. Kleman Miklaviç, me mandat pesë vjeçar.
Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Komisionin Evropian për programin Horizone Europe për fitimin e statusit të asociuar për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje paraqet një hap me rëndësi për vendin tonë në rrugën e integrimit evropian.
Qeveria ka miratuar dy nisma, ajo për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkëmbimin akademik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit Fulbright. Lidhja e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ka për qëllim të forcojë dhe zhvillojë më tej lidhjet midis pjesëmarrësve në procesin e zbatimit të programit të shkëmbimit akademik Fulbright në arsim, kulturë, shkencë dhe kërkime të bazuara në rrethana që konsiderohen reciprokisht të dobishme; si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për ndihmën e ndërsjellë në rast të fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri.
Në fund të mbledhjes, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, u aprovua vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 55 mijë e 700 euro për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të mbulohet pagesa e 34 inspektorëve sanitarë. Pra, përmes këtij vendimi mbulohet kostoja për angazhimin e përkohshëm të këtyre inspektorëve që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë COVID 19. /Telegrafi/