Përderisa një pjesë e partive po negociojnë për qeverinë e re, një pjesë e tyre po shkruajnë platformë për siç thonë, mbrojtjen e identitetin. Pas platformës së partive shqiptare, edhe Partia Socialiste e shkroi versionin e saj. Thonë se për identitetin dhe sovranitetin maqedonas, askush nuk mund të negociojë.
“Në projekt-platformë janë përfshirë disa çështje, si ajo për rregullimin e brendshëm të shtetit, siguria e vendit dhe drejtimi i politikës ndërkombëtare me theks në marrëdhëniet fqinjësore, çështjet për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe unitarizmit të shtetit dhe të pavarësisë së saj”, u shpreh Milisha Stankoviq, Sekretar i PS, njofton TV21.
Nga organizata “Manifesti maqedonas” kërkojnë të bashkohen të gjitha partitë maqedonase dhe ta mbrojnë sovranitetin e shtetit. Në manifest, mes tjerash shkruan se Maqedonia nuk guxon të pranojë ndryshimin e emrit. Sipas tyre, publikimi i këtij manifesti është motivuar siç thonë nga bashkimi i partive politike shqiptare përreth platformës së tyre.
“Një herë e përgjithmonë duhet të thuhet se çfarë është Maqedonia dhe si është Maqedonia. Duhet të thuhet se ajo nuk është një shtet binacional siç pretendon një pakicë, por se është shtet sovran i popullit maqedonas dhe i pakicave të tjera”, tha Eftim Klletnikov, nga “Manifesti Maqedonas”.
Ish nënkryetari i kuvendit të Republikës së Maqedonisë Jani Makraduli thotë se platformat tanimë janë të vonuara.
“Disa platforma janë të vonuara sepse në zgjedhje partitë shkojnë me program të vet. LSDM doli me platformë qytetare, barazi për të gjithë qytetarët dhe ky ishte një koncept që mori mbështetje të madhe. Mendoj se tani platformat shërbejnë për blerje kohe për pushtetin”, tha Jani Makraduli, nga LSDM.
Përndryshe, platforma e partive shqiptare, krahas çështjeve tjera, përmban edhe propozime për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin, më pas barazi ekonomike, kthim të vendit në rrugën euro-atlantike dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale. /Telegrafi/