Telegrafi

Të gjitha karakteristikat e jashtëzakonshme që do të vijnë në Galaxy S8

Samsung ka bërë të ditur se linja e re premium Galaxy S do të ketë shërbime të intelegjencës artificiale së bashku me dizajn të ri. Kompania është duke u munduar të rikuperohet nga dështimi me Galaxy Note 7 dhe në të njejtën kohë përballet me konkurrencën në rritje nga telefonat e ri Google Pixel.

Telefoni i ri nga kompania koreanojugore, Galaxy S8 do të sjell përmirësime në specifikat harduerike duke përfshirë ndryshime në dizajn, kamerë, pagesa mobile, shërbime në ‘cloud’ dhe intelegjencë artificiale, ka bërë të ditur Samsung në një konferencë mediatike që është mbajtur dje.

Ndër informatat e bëra të ditura nga kompania, është edhe softueri i intelegjencës artificiale që përkrahet nga komponentët harduerik si memoria super e shpejtë dhe paneli fleksibil i ekranit.

Çfarë mund të presim nga Galaxy S8 sa i përket pjesëve harduerike është procesori 10nm Exynos, ekrani fleksibil OLED me 6 inç që nuk do të ketë korniza anësore, skanerin për gjurmët e gishtërinjëve dhe tiparin e njohjës së zërit përmes intelegjencës artificiale.

Kompania së fundmi ka blerë Viv Labs, një platform e intelegjencës artificiale që është krijuar nga krijuesit e shërbimit Siri të Apple.

Zyrtarët e Samsung kanë deklaruar poashtu se Galaxy S8 do të jetë i pajisur me procesorin 10 nanometërsh Exynos i cili do të përmirësoj performancën e pajisjes dhe në të njejtën kohë do të ulë përdorimin e energjisë për 40 për qind.