Site icon Telegrafi

Të gjitha inspektoratet në Maqedoni me autorizime më të mëdha, gjoba deri 30 mijë euro për shkelësit

Autorizime më të mëdha marrin shërbimet inspektuese që të ndikohet në uljen e përhapjes së coronavirusit. Këtë e mundësojnë ndryshimet të cilat i miratoi Qeveria në mbledhje të Ligjit për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse. Ndryshimet e miratuara i përfshijnë edhe lartësinë e gjobës për shkelësit, të cilat variojnë varësisht madhësisë së subjektit juridik.

Me këto ndryshime të gjitha shërbimet inspektuese marrin më shumë autorizime për përballje me shkelësit e protokolleve.

Kryetarja e Këshillit Inspektues Filipovska – Grashkoska dje informoi se sipas ligjit ekzistues për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet ngjitëse për mosrespktim të protokolleve deri më tani vetëm ISHSSH kishte autorizim për të shqiptuar masa, ndërsa shërbimet e tjera inspektuese vetëm shtronin padi penale dhe kishin të drejtë të shtrojnë padi penale për mosrespektimin e protokolleve, në pajtim me Ligjin Penal.

Me ndryshimet e reja ligjore, sip tha, autorizimi i tillë për shqiptimin e ndalesës për punë dhe urdhëresë pagesore për kundërvajtje fitojnë krahas ISHSSH edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, Inspektorati Shtetëror i Punës, Inspektorati Shtetëror i Transportit dhe inspektoratet e tjera në nivel qendror dhe lokal.

“Secili nga këto shërbime të inspektimit do të bëjë mbikëqyrje në rrethin e vetë të veprimit kështu që do të përfshihen të gjitha subjektet relevante, pa dallim se a bëhet fjalë për objekte hotelierike, transportues, kapacitete prodhuese dhe të ngjashme”, sqaroi ajo.

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Resurse Njerëzore Lupço Nikollovski në konferencën për media me Filipovska – Grashkovska tha se sipas ndryshimeve të reja lartësia e gjobave do të lëvizë nga madhësia e subjektit juridik.

Ndryshimet parashohin për mikrondërmarrje e cila ka shkelur ndonjë protokoll të shqiptohet gjobë prej 2.500 deri në 3.000 euro në kundërvlerë denari. Për ndërmarrje të vogël është paraparë gjobë prej 5.500 deri n 6.000 euro. Për ndërmarrje të mesme prej 17.500 deri në 18.000 euro ndërsa për ndërmarrje të madhe gjobë në shumë prej 25 mijë deri në 30 mijë euro në kundërvlerë denarë.

Janë paraparë gjoba të përshtatshme edhe për personin përgjegjës të personit juridik, të cilët janë në lartësi të ndryshme.

“Në këtë mënyrë presim se do të sigurohet efikasitet nga sanksionimi, ndërsa nga ana tjetër do të ekzistojë drejtësi, gjegjësisht do t’u jepet mundësi atyre personave juridikë të cilët i respektojnë protokollet dhe të cilët do të bëjnë gjithçka të vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre ndërsa ata persona juridikë të cilët nuk do t’i respektojnë protokollet të sanksionohen me kohë pa dallim se kush janë, ku janë, Ligji duhet të respektohet”, potencoi Nikollovski.

Filipovska – Grashkoska theksoi se protokollet e sjella janë të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe prandaj bëri apel për të gjithë qytetarët dhe subjektet juridike t’i respektojnë masat për mbrojtje nga coronavirusi.

Exit mobile version