Nga shkaqe deri tani të panjohura për autoritetet shëndetësore në Maqedoni, dje kanë vdekur dy persona nga Gostivari të të njejtës familje. Bëhet fjalë për babin dhe djalin nga fshati Simnicë.
Drejtori i spitalit të Gostivarit, Ylber Ademi për këtë rast tha ”Sipas informatave të shërbimeve të mija nga reparti i Infektologjisë, kuptova se bëhet fjalë për një tragjedi familjarë, ku prej familjes Miftari nga fshati Simnicë I Gostivarit, konkretisht prindi dhe djali janë sot të ndjerë. Shkaku edhe sot e kësaj dite nuk e dimë, e dimë që prindi para disa ditëve ka shkuar në trajtim drejtpërdrejt në Kilinikate Shkupit pa kërkuar ndihme te na, ndërsa dje djali I tij ka ardhur në repartin e Infektologjisë, ka pranuar terapi, mirëpo mjeku derisa e ka vërejt se gjendja e tij përkeqësohet ka vendosur ta dërgoj në Klinikën Infektive në Shkup”, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Nga Klinika e sëmundjeve Infektive dje Zvonko Milenkoviq tha ”Në Klinikën për sëmundje infektive kanë ndërruar jetë dy persona të cilët ishin sjellë në gjendje të rëndë me temperature të lartë, diarre, të vjella … Në Klinikë për momentin janë hospitalizuar katër persona nga i njëjti rajon (rajoni i Gostivarit) në gjendje më të lehtë. Personat që kanë ndërruar jetë janë meshkuj dhe të moshës 50 dhe 23 vjecare. Kjo është një gjendje febrile me funksion të dobët të mëlçisë, veshkave dhe faktorëve të koagulimit”, tha Milenkoviq.
Më vonë nga SHBA edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha ”Fatkeqsisht në Simnicë të Gostivarit, ka pasur tendenca që të zhvillohet një infeksioni, i cili ka rrëmbyer jetë njerëzish…Është kaq i trishtë ky lajm, me mendje dhe me zemër jam pranë familjeve që këto ditë kanë humbur më të dashurit e tyre…Shpreh dhimbjen time më të thellë! Vdekjet janë raste ku emocioni nuk përkthehet dot lehtë në fjalë… Nga ana tjetër fatmirësisht duket se gjendja është marrë nën kontroll. Ministria e Shëndetësisë kërkon të qetësojë qytetarët e Gostivarit dhe të sigurojë se do bëhen të gjitha përpjekjet profesionale dhe njerëzore për t’a larguar sa më shpejt hijen e këtij infeksioni…i cili na la trauma siç ishte humbja e atyre njerëzëve të mirë! Lutem Zotit të lehtësojë zemrat e rënduara të familjarëve…”
OBRM-PDUKM-ja e Nikolla Gruevski kërkoi dorëheqjen e Arben Taravarit me arsyetimin “Për vetëm tre ditë, pakujdesia e ministrit Taravari mori dy jetë njerëzish të moshës 47 dhe 23. Pse tashmë për disa ditë po hesht se sëmundja mund të përhapet dhe pse ka heshtur se dy persona kanë ndërruar jetë si rezultat i asaj. Sipas informacioneve tona në rrezik jete janë edhe gjashtë persona të cilët për momentin janë në Klinikën për Infektologji”, deklaroi në konferencë për shtyp, Dafina Stojanovska nga radhët e OBRM-PDUKM-së.
Taravari edhe një herë u prononcua për këtë rast, por tani me video, duke tentuar të qetësojë situatën. Ai ka njoftuar se janë dërguar rezultatet e analizave në dy vende për të qenë sa më objektiv në vlerësimin e gjendjes.
Sot pritet të dalin edhe rezultatet zyrtare, prej ku do të dihet shkaku i vdekjes së dy personave dhe sëmundjes së katër tjerëve. Personat e vdekur tashmë janë dërguar për autopsi. /Telegrafi/